Merkel vizitë zyrtare në Greqi

schedule20:54 - 9 Janar, 2019

schedule 20:54 - 9 Janar, 2019

Angela Merkel nis nesër një vizitë dy ditore në Athinë, ku do të takohet me presidentin e vendit dhe kryeministrin Tsipras. Mediat greke raportojnë se një nga temat kryesore të bisedimeve do të jetë dhe marrëveshja e arritur mes Athinës dhe Shkupit.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel mbërrin të enjten në Athinë, në vizitën e parë të saj në kryeqytetin helen që nga pranvera e 2014-s, në prag të zgjedhjeve për në Parlamentin Europian. Atëherë, kryeministri i sotëm, Aleksis Tsipras, ishte kundërshtari më i vendosur i Merkel dhe ministrit të atëhershëm të Financave, Volfgang Schauble, të cilët i identifikonte me masat shtrënguese që sipas tij Berlini i impononte Greqisë, në betejën për daljen nga kriza.  Në një nga tubimet elektorale, Tsipras kishte thënë frazën që mbeti e paharruar, sidomos për kundërshtarët e tij.

“Kthehu mbrapa, zonja Merkel! Kthehu mbrapa zoti Schauble!… Greqia nuk është kavie për eksperimente…”.

Por pas ardhjes në pushtet, Tsipras gradualisht u shndërrua në një partner të rëndësishëm e të besueshëm për kancelaren gjermane. Në këtë transformim luajti padyshim rol pragmatizmi i kryeministrit majtist radikal, që zbatoi me përpikmëri programin e tretë të shpëtimit, me masa shumë të ashpra. Por po aq i rëndësishëm ishte vendimi i Merkel që t’u hapë dyert refugjatëve sirianë, gjë që shkaktoi zemërimin e populistëve të djathtë në Gjermani. Në betejën e kancelares për mbijetesë politike, Tsipras u dëshmua një aleat plot kredibilitet, duke pranuar marrëveshjen me Turqinë në Maj të 2016-s dhe duke mbështetur iniciativat e Merkel për një zgjidhje europiane në krizën e refugjatëve. Tsipras është pritur disa herë në Berlin, me nderime të mëdha.

E njëjta pritje mendohet se do t’i rezervohet tashmë edhe zonjës Merkel në Athinë. Një pritje që parashikohet të jetë krejt e ndryshme nga sa në vizitat e mëparshme. Atëherë kur prania e kancelares gjermane në kryeqytetin helen i vinte zjarrin zemërimit mbarëpopullor. Angela Merkel mbërrin në Athinë pasditen e të enjtes, kur do të takohet me kryeministrin Tsipras. Të premten, kancelarja gjermane do të pritet nga presidenti i Republikës, Prokopis Pavlopulos dhe pastaj do të takohet me kryetarin e demokracisë së re të opozitës, Kyriakos Mitsotakis.

Burime diplomatike në Athinë thanë se kancelarja Merkel vjen me një synim të dyfishtë. Së pari për të përcjellë një mesazh vlerësimi ndaj përpjekjeve të Greqisë pas finalizimit të programit të shpëtimit. Dhe së dyti, t’i ofrojë mbështetje kryeministrit Aleksis Tsipras, në prag të procedurës parlamentare për votimin e marrëveshjes së Prespës edhe në parlamentin grek. Të njëjtat burime shtuan se jo më kot Merkel vjen në Athinë 24 orë pasi në parlamentin maqedonas fillon faza përfundimtare për miratimin e ndryshimeve kushtetuese./abcnews.al