Në reagimin e parë pas zgjedhjeve rajonale, që i dhanë më shumë pushtet populistëve, kancelarja Angela Merkel ka deklaruar se do të punojë me të gjitha forcat për të rifituar besimin e elektoratit. Merkel ka theksuar se ekonomia e mirë dhe punësimi i lartë në rajonin e Bavarisë nuk mjaftuan për të mbajtur mazhorancën absolute.
Kancelarja gjermane Angela Merkel është zotuar të hënën se do të ripërtërijë besimin e elektoratit tek qeveria e saj, pas performancës së dobët të aleatëve konservatorë në zgjedhjet rajonale. Unioni Kristian-Socialist, partia simotër e Kristian-Demokratëve të Merkel, regjistroi rezultatin më negativ në 70 vjet në zgjedhjet e së dielës në rajonin e Bavarisë.
Ndërsa Social-Demokratët panë t’u përgjysmohej mbështetja. “Mësimi nga ky zhvillim është se unë, si kancelare, duhet të sigurohem që të rikthej besimin. Dhe për ta arritur këtë do të punoj me të gjitha forcat”, ka thënë Merkel.
Kancelarja ka nënvizuar se CSU-ja humbi mazhorancën absolute në parlamentin bavarez edhe pse ekonomia rajonale po ecën me ritme pozitive. “Kjo tregon se edhe një situatë e mirë ekonomike dhe niveli i lartë i punësimit nuk mjaftojnë nëse besimi humbet”, ka thënë Merkel. Ekonomia bavareze u rrit me 2.8 për qind vitin e kaluar, duke kaluar kuotën e ekonomisë kombëtare prej 2.2 për qind. Gjithashtu, landi ka kuotën më të ulët të papunësisë në Gjermani, 2.8 për qind, krahasuar me 5 për qind që është në nivel kombëtar.
Rezultati i arritur nga partia populiste Alternativa për Gjermaninë në zgjedhjet e së dielës tregoi edhe njëherë situatën e vështirë në koalicionin e Merkel për shkak të politikave të emigracionit. Tashmë në Bavari, CSU do të përpiqet të formojë një koalicion me të pavarurit, që është dhe opsioni i preferuar, ose me të Gjelbërit, ideologjia e të cilëve është shumë e ndryshme. /abcnews.al