Kancelarja gjermane Angela Merkel shënon rënie në sondazhe, madje mediat e cilësojnë si në rënie të lirë. Janë gjithnjë e më pak votuesit që do të mbështesnin sërish koalicionin e madh qeverisës. Dhe pothuajse të gjithë e konsiderojnë të tmerrshme politikën e emigracionit.
Angela Merkel nuk ka vetëm një problem brenda partisë, si dëshmohet nga largimi i njeriut më besnik të saj Volker Kauder, nga posti i kryetarit të grupit parlamentar.
Tashmë problem është shumë më i rëndë dhe ka të bëjë me popullaritetin e saj që po shënon rënie të lirë. Një vit para zgjedhjeve të përgjithshme të gjitha sondazhet paraqesin në ulje partitë e mëdha tradicionale.
Sipas të dhënave të fundit, më pak se një gjerman në katër jep një mendim pozitiv për koalicionin e madh qeverisës, ndërsa ëshët në rritje numri i atyre që nuk do të votojnë për asnjë. Një mungesë besimi totale tek politikanët e çdo partie. Dhe sipas sondazhit më shokues, AfD, partia e ekstremit të djathtë, është vetëm nëntë pikë larg kristiandemokratëve të kancelares gjermane Merkel.
Kjo rritje e së djathtës radikale shqetëson kancelaren gjermane për faktin se ajo mund të bëhet partia e dytë në vend. E vërteta është se problem i integrimit të refugjatëve, qindra mijërave të ardhur nga Lindja e Mesme, ka krijuar një çekuilibrim që Merkel nuk mund të kontrollojë më. Në fakt janë 83 për qind e gjermanëve që e cilësojnë si shkatërruese politikën e emigracionit të qeverisë Merkel.
Gjemanët tashmë nuk i besojnë më atyre që i kanë drejtuar prej kaq shumë kohësh, si Merkel. Por ka dhe një problem tjetër, përveç rritjes të së djathtës, janë të shumtë ata që preferojnë të mos votojnë. 61 për qind e gjermanëve mendojnë se asnjë nga partitë nuk ka aftësinë e duhur për të tejkaluar problemet.
37% e tyre do e ndërronte votën e dhënë në shtator të një viti më parë. Nëse do të votohej të dielën e ardhshme socialdemokratët do të zbrisnin në 17%, tre pikë e gjysëm më pak. CDU/CSU nga 33 për qind do ndalonte në 28. Por pothuajse një e treta, 31 për qind nuk do të votonte, duke përbërë kështu dhe partinë më të fortë nëse do të ekzistonte. Një vit më parë ishin më pak se 25 për qind gjermanët që nuk donin të votonin./abcnews.al

