Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka kritikuar apatinë e Bashkimit Europian ndaj Ballkanit. Pas një takimi me kryeministrin maqedonas, Merkel ka fajësuar Brukselin për mos konkretizimin e projekteve të Procesit të Berlinit.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka kritikuar mungesën e mbështetjes së fuqishme nga Brukseli për vendet e Ballkanit Perëndimor. Pas një takimi të zhvilluar me Kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, Merkel ka nënvizuar se, është e domosdoshme që Bashkimi Europian të jetë më influent në rajon.
“Bashkimi Evropian duhet të shtojë interesimin dhe veprimin në këtë rajon, sepse atje kanë shtuar infuencën e tyre së fundmi edhe Rusia, Kina, Turqia dhe vende të tjera”, ka thënë Merkel. Ndonëse së bashku me Zaev nuk i ka cilësuar investimet nga këto vende si një dukuri negative, Merkel ka theksuar se ato nuk duhet të shoqërohen me kërkesa politike.
Në vijim, kancelarja ka thënë se është koha që vendet e Ballkanit të marrin një përgjigje konkrete për financimet e premtuara në kuadër të Procesit të Berlinit, të cilat duhet të shkojnë për projektet e infrastrukturës.
“Njerëzit në Ballkanin perëndimor janë të interesuar për fillimin e ndërtimit të kilometrave të para në infrastrukturë dhe jo për sdudimin e projekteve të mundshme”, ka vijuar Merkel. Nga ana e tij, Zaev ka deklaruar se për Maqedoninë dhe vendet e tjera të Ballkanit ekziston vetëm një alternativë, ajo europiane. Sa i takon procesit të integrimit të vendit të tij, Zaev ka rikonfirmuar angazhimin për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë.
“Në 10 vitet e fundit, zgjidhja nuk ka qenë kurrë më pranë sesa sot”, ka thënë Zaev, i cili për këtë çështje bisedoi një ditë më parë edhe me homologun grek, Aleksis Tsipras./abcnews.al