Duke parë humbjen që po pëson në terrenin politik, Angela Merkel u ka bërë thirrje partnerëve të koalicionit që t’i japin fund luftës së brendshme. Apeli i kancelares vjen pak kohë para mbajtjes së zgjedhjeve në dy lande, ku pritet që si CDU-ja e saj edhe aleatët e CSU-së të humbasin shumicën.
Kancelarja gjermane Angela Merkel u ka bërë thirrje konservatorëve që t’i japin fund luftës së brendshme, përpara zgjedhjeve në dy lande që mbahen më vonë gjatë muajit.
Kristian Demokratët e Merkel dhe partia simotër Unioni Kristian Social i Bavarisë janë përpjekur gjatë për të ruajtur unitetin në lidhje me politikën ndaj emigracionit dhe me skandalin e shefit të shërbimeve të inteligjencës, që shprehte simpati për të djathtën ekstreme.
Sondazhet tregojnë se CSU do të humbasë mazhorancën absolute në parlamentin bavarez, që mban zgjedhjet më 14 Tetor dhe se mbështetja do të kalojë tek të Gjelbërit dhe ekstremistët e Alternativa për Gjermaninë.
Edhe mbështetja për CDU-në e kancelares pritet të bjerë në rreth 29 për qind në zgjedhjet që do të mbahen në Hese dy javë më vonë. Partia siguroi 10 pikë për qind më shumë në zgjedhjet e para 5 viteve dhe qeveris në këtë land bashkë me të gjelbërit.
“Jam e vetëdijshme se përplasjet e brendshme kanë ndikuar në rënien tonë. Votuesve kjo përplasje nuk iu pëlqen dhe ata as nuk e kuptojnë se për çfarë po përplasemi”, ka thënë Merkel në një miting me forumin rinor të Koalicionit të Madh.
Autoriteti i kancelares është lëkundur që nga zgjedhjet e shtatorit të vitit të kaluar, që nxorrën rezultatet më të dobëta për konservatorët e saj që prej vitit 1949.
Të rinjtë e pranishëm në eventin elektoral kërkuan një amendament kushtetues për të kufizuar në 3 numrin e mandateve të një kancelari. Por Merkel e hodhi poshtë këtë ide me argumentin se ajo do të shkelte lirinë kushtetuese të ligjvënësve për të votuar këdo kancelar që mbështesin./abcnews.al