Merkel, garanci Shkupit për negociatat. Shqipëria, inekzistente!

schedule19:10 - 21 Qershor, 2019

schedule 19:10 - 21 Qershor, 2019

 Kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar se do të bëjë gjithçka që është e mundur, për hapjen e negociatave te anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë, si Merkel ashtu edhe liderët e tjerë të BE-së nuk kanë patur të njëjtën qasje për Shqipërinë.

28 liderët evropianë kanë diskutuar shkurtimisht mbi politikën e zgjerimit në mbrëmjen e 20 qershorit në samitin evropian të Brukselit. Asnjë surprizë në konkluzionet e tyre për hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëria, që janë të njëjtat me ato të aprovuara nga ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian në 18 qershor në Luksemburg. Por surpriza ka ardhu në konferencën e shtypit të kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila është shprehur që do të përdorë të gjithë peshën politike për të mbështetur një vendim pozitiv për Maqedoninë e Veriut në tetor. E pyetur se ç’garanci mund të japë kancelarja gjermane për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut në tetor, kancelarja gjermane i është përgjigjur:

Angela Merkel, kancelare e Gjermanisë:  “Çdo gjë që mund të bëj, do t’a bëj në mënyrë që të bëj të mundur një vendim pozitiv në Tetor, pasi Maqedonia e Veriut ka bërë një punë ekzemplare me marrëveshjen e Prespës. Ne e kemi diskutuar këtë dje. Bëhet fjalë vetëm për çështje javësh. Angazhimi ynë qëndron dhe unë do të përdor të gjithë peshën politike për të mbështetur një vendim të tillë”.

Ndërkohë, qasja e liderëve evropianë për Shqipërinë nuk është aspak e njëjtë me atë të Maqedonisë së Veriut. Në samitin e Tetorit pritet të shihet nëse do të ketë një trajtim në bllok të Maqedonisë së  Veriut me Shqipërinë ose jo./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!