Ka nisur zyrtarisht numërimi mbrapsht për kancelaren Angela Merkel. Një zgjedhje në dukje sekondare, ajo e shefit të grupit parlamentar të Unionit Kristian Demokrat dhe atij Kristian Social, është transformuar në fillimin e fundit të sistemit Merkel.
Volker Kauder, njeri besnik i Kancelares, dhe kryetar grupi për 13 vite, i cili mori detyrën 1 ditë para qeverisë së parë Merkel në 2005-n, është pasuar nga zëvendësi i tij, Raph Brinkhaus. Kauder, 69 vjeç, nuk shikohej me sy të mirë në grupim parlamentar të konservatorëve gjermanë. Megjithatë, herën e fundit vitin e kaluar u konfirmua me 77% të votave, duke mos pasur një rival.
Sinjalet e pushtetit në lëvizje të Kauder ishin të njohura. Megjithatë askush deri më tani nuk kishte guxuar të sfidonte një nga njerëzit më të afërt të Angela Merkel. Provoi Ralph Brinkhaus, jo një emër i njohur i partisë, por një deputet i nderuar 50-vjeçar, zëvendës i Kauder dhe ekspert në politikat fiskale. Ai mori 125 vota kundër 112 të kryetarit të grupit të larguar, ndërsa 2 abstenuan.
Zgjedhja e Brinkhaus nuk është vetëm një rebelim ndaj pak të pëlqyerit Kauder, por një sinjal sfide ndaj Angela Merkel që tashmë nuk kontrollon grupin parlamentar të partisë së saj CDU, dhe deri tani ka pasur shumë vështirësi në drejtimin e një koalicioni qeverisës të pasigurtë.
Pikërisht një vit më parë, Merkel fitonte me shumë rënie zgjedhjet politike, të cilat u ndoqën nga vështirësitë e njohura për formimin e një qeverie. Por ngërçi u zgjidh, pas dështimit të negociatave për koalicionin Xhamajkjan, falë tratativave për një koalicion të madh me Social Demokratët.
Një vit pas zgjedhjeve, Merkel është akoma dhe më shumë në krizë. E dobësuar nga ministri i Brendshëm rebel, Horst Seehofer dhe nga rritja e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë, AFD, por edhe nga një gjeneratë e re e aspirantëve për liderë në partinë e saj.
Angazhimet e ardhshme elektorale do të vendosin kur dhe në cilën formë, kancelarja do të largohet nga partia. Muajin që vjen do të votohet në Bavari dhe ky fakt shikohet si një test i vërtetë për popullaritetin e Merkel.
Megjithatë momenti i vështirësisë së madhe do të arrijë në 2019. Mes majit dhe shtator-tetorit, kancelarja mund të mos i mbijetojë 4 raundeve të zgjedhjeve që parashikohen shumë të vështira për Kristian Demokratët. Në Maj votohet për rinovimin e parlamentit evropian, dhe këto mund të shkaktojnë një tërmet të vogël në Gjermani dhe jo vetëm.
Nëse në zgjedhjet evropiane Merkel mund të mbijetojë, është e vështirë të imagjinosh që mund ta bëjë edhe mes 3 zgjedhjeve rajonale të 2019-s. Ndryshe nga raportimet e mediave, Merkel nuk aspiron të bëhet president e Komisionit Evropian. Me shumë mundësi, thjesht ka ardhur koha e një fundi natyral të ciklit politik shumë të gjatë për politikën aktuale./abcnews.al