Numërimi mbrapsht ka nisur deri në fund të marsit, kur kombëtarja e Shqipërisë ka një takim me historinë, pasi për herë të parë do të luajë në play off e një Botërori. Sylvinho ka nisur punën për përgatitjen e sfidës kundër Polonisë, por përveç aspektit taktik, trajneri kuqezi duhet të ketë një vëmendje të shtuar te merkato.
Kur mbeten edhe pak ditë nga mbyllja e dritares së transferimeve të dimrit disa prej lojtarëve më të rëndëdishëm të kombëtares së Shqipërisë janë të paqartë për të ardhmen e tyre.
Shqetësuese është situata me Kristjan Asllanin, që prej javësh tashmë ka bërë gati valixhet. Mesfushori është lënë jashtë nga Torino, pasi nuk ka luajtur në katër ndeshjet e fundit. Futbollisti është në kërkim të një sistemimi për të luajtur me vazhdimësi dhe për të rifituar formën përpara play off të Botërortit.
I njëjti diskutim vlen edhe për lojtarë të tjerë titullarë si Mario Mitaj apo Rey Manaj. Mbrojtësi nuk po kalon një moment të mirë te Al Ittihad, megjithëse pas pesë ndeshjeve i lënë në tribunë është riintegruar në skuadrën saudite. Për Mitaj janë konfirmuar ofertat nga La Liga dhe Premier League, por deri tani nuk ka asnjë lëvizje konkrete.
I njëjti diskutim vlen edhe për Rey Manaj. Transferimi i tij nga Emiratet Arabe në Kinë rezultoi thjesht një thashethem mes të shumtëve në këtë periudhë merkato. Por vazhdon të jetë I hapur opsioni për një rikthim të mundshëm të tij në kampionatin turk.
Po ashtu, Sylvinho duhet t’I bëjë llogaritë edhe me dëmtimet e disa lojtarëve të tjerë të rëndësishëm si Nedim Bajrami apo Ardian Ismajli. Tjetër problem është nisja me vonesë e disa kampionave ku luajnë të tjerë futbollistë kuqezi, si Mirlind Daku në Rusi, apo Myrto Uzuni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por në këtë tabllo ka edhe lajme të mira. Armando Broja është kthyer në një titullar me Burnley dhe po luan me vazhdimësi në Premier League, ndërsa Sylvinho mund të kthejë sytë edhe te lojtarë si Ernest Muçi apo Anis Mehmeti që po tregojnë një formë të shkëlyer me skuadrat e tyre të klubeve./abcnews.al


