Superiorja është ndalur, ndërkohë që disa prej klubeve të elitës së futbollit shqiptar po programojnë afrimet. Laçi është një prej skuadrave që është boshatisur më së shumti dhe në listën e objektivave të tyre janë futbollistë.
Donald Rapo dhe Realdo Fili të Luftëtarit janë vënë në shënjestër. I pari, sipas asaj që raportoj “Panorama Sport”, ka një gjyq me gjirokastritët dhe pretendon se klubi i detyrohet atij rreth 20 mijë euro. Nga ana tjetër sulmuesi ka qenë në orbitën e kurbinasve edhe më parë dhe tashmë lakohet sërish si opsion.
Kukësi do të ketë pak lëvizje. Verilindorët mund të humbasin një prej sulmuesve të rinj, dardanin Mirlind Daku. I huazuar nga Osijek, ai nuk ka pasur shumë hapësira në skuadrën e drejtuar nga Shpëtim Duro. Kështu largimi është një mundësi që ai të shkojë në një ekip ku të luajë dhe të rritet.
Edhe në Korçë pritet të ketë lëvizje. Një nga lojtarët që thuhet se mund të bashkohet me Skënderbeun është Eni Imami, i cili do të gjente atje Marvin Turtullin, me të cilin kaq qenë shok skuadre te Tirana. Aktualisht ai është pjesë e bardhebluve, por me largimin e trajnerit Ardian Mema ka humbur formacionin dhe largimi është një mundësi reale./ abcnews.al