Superliga shqiptare është në krizë të plotë për trajnerë. Plot pesë teknikë janë shkarkuar në 10 javë, ku i fundit ishte Artan Mergjyshi i Laçit.
Gjysma e tyre nuk mbijetoi as çerekun e rrugës. Plot pesë trajnerë, ndër 10 ekipe të Superligës shqiptare, nuk janë më në detyrë, ndërsa janë luajtur vetëm 10 nga 36 javë. I fundit, Artan Mergjyshi, i larguar nga Laçi. Tekniku kryeqytetas vuajti jo vetëm prej dy humbjeve radhazi, por edhe prej përplasjeve me presidentin Laska, të cilat e bënë “divorcin” të pashmangshëm.
Mëkat, pasi me teknikun tiranas, Laçi ishte për 8 javë pranë kreut të renditjes, duke mos pësuar asnjë humbje, madje edhe tani nuk është aspak larg. Vetë Mergjyshi nuk deshi të komentonte për mënyrën sesi u largua, por burime në skuadër bëjnë me dijë se pati acarim dhe nerva në analizë. I pari iku Bledar Devolli nga Kamza, pastaj Millosh Kostiç nga Luftëtari.
Vazhdoi me ndarjen e brazilianit Ze Maria me Tiranën dhe me Elvis Plorin të dorëhequr nga Kastrioti, për të përfunduar për momentin me Mergjyshin. Trajneri i njohur, Ernest Gjoka, vlerësoi kështu pak kohë më parë për ABC News.
“Në qoftë se ti nuk ke pas besim te një trajner që në krye të herës pse e merr dhe e heq në javën e tretë. Ti e merr dhe ndërto një skuadër të mirë dhe pastaj nuk ke besim te trajneri. Një president me vizion duhet të kuptojë që duhet të marrë një trajner dhe ky trajner të ketë gjithë stafin e tij dhe ky është një problem tjetër i futbollit shqiptar sepse shumë ekipe nuk e kanë stafin e tij, por kanë gjetur një staf me mik”, tha Gjoka.
Specialisti tjetër Hysen Dedja, shton në këtë listë edhe Hasan Likën e larguar nga Luftëtari, në fund të sezonit të kaluar. Me 5 trajnerë të larguar në 10 javë, Superliga vazhdon një traditë, dhe pritet që edhe të tjerë të shkarkohen apo të ikin deri në fund të kampionatit./abcnews.al