Menaxhimi i ndryshimeve klimatike/ BB: Duhen 6 miliardë dollarë në dekadën e ardhshme

schedule14:49 - 26 Nëntor, 2024

schedule 14:49 - 26 Nëntor, 2024

Shqipëria duhet të investojë rreth 6 miliardë dollarë në 10 vitet e ardhshme për të përballuar ndryshimet klimatike.

Sipas Raportit të Klimës dhe Zhvillimit të Grupit të Bankës Botërore Shqipëria është një nga vendet më të rrezikuara nga katastrofat natyrore në Europë,  dhe duhet të realizojë investime serioze për të mbrojtur në mënyrë sa më efektive qytetarët dhe pronat nga rreziku në rritje i përballjes me fenomene klimatike, si përmbytjet, zjarret në pyje dhe rrëshqitjet e dheut.

Gjithashtu, raporti thekson se investimet për përshtatjen klimatike mund të kontribuojnë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik. Studimet nga vende të ngjashme me Shqipërinë flasin se për çdo 1 euro të investuar në këtë drejtim, kthimi i investimit mund të arrijë deri në 10 euro.Sipas Bankës Botërore nëse nuk ndërmerren veprime, dëmet e lidhura me klimën mund t’i kushtojnë vendit 7% të PBB-së së tij.

Me reformat e duhura si dhe angazhimin e sektorit privat, Shqipëria mund të kalojë drejt burimeve të rinovueshme, të ulë emetimet dhe të krijojë mundësi të reja ekonomike.

Raporti i Bankës Botërore thekson edhe mënyrën e përshpejtimit të tranzicionit energjetik të Shqipërisë drejt emetimeve neto zero deri në vitin 2050 përmes investimeve në teknologjitë e erës, diellit dhe biomasës të pajisura me procesin e kapjes dhe ruajtjes së karbonit.

Grupi i Bankës Botërore po punon me autoritetet përgjegjëse në Shqipëri duke mbështetur projekte për ndërtimin e infrastrukturës së qëndrueshme, përmirësimin e shërbimeve të furnizimit me ujë dhe të kanalizimeve dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!