Menaxherët e Eurobondit, Financat shtyjnë afatin deri në 7 shtator: Është kërkesë e bankave

schedule07:30 - 28 Korrik, 2021

schedule 07:30 - 28 Korrik, 2021

Ministria e Financave kishte parashikuar që të përzgjidhte bankat menaxhere që do ta udhëheqin në daljen e pestë në tregjet e kapitalit për një Eurbond të ri deri në 26 korrik.

Por së fundmi, afati për shprehjen e interesit u shty deri në 7 shtator 2021.

Financat njoftuan më herët se nga data 7 korrik deri më 26 korrik ishte vendosur periudha kohore që do të shërbente për të paraqitur kërkesë propozimet dhe disa banka aktualisht kanë dorëzuar dokumentet. Por është parë e arsyeshme që afati të shtyhet deri në shtator për të përzgjedhur nënshkruesit e emetimit të mundshëm të borxhit që qeveria do të bëjë në tregjet e kapitalit.

“Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.182 datë 25/02/2015 “Për përcaktimin e procedurës për zgjedhjen e Menaxherit Udhëheqës dhe / ose huadhënësit për realizmin e huamarrjes me instrumente financiarë në tregun e jashtëm ”, i cili rregullon procesin e përzgjedhjes së menaxherëve kryesorë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka vendosur të zgjasë afatin e fundit për dorëzimin e ofertave nga bankat deri më 7 shtator 2021, në orën 14.00 pasdite, pas kërkesave për kohë shtesë nga bankat që janë të interesuara për të marrë pjesë në këtë procedurë.

Ofertat fizike të dorëzuara deri në afatin origjinal 26 korrik 2021 2 pasdite do të qëndrojnë të pahapura deri në afatin e zgjatur siç u përmend më lart” thuhet në njoftimin e Financave.

Në dokumentin ku jepeshin specifikimet për menaxherët që do të udhëheqin procesin e emetimit të eurobondit qeveria shpjegon se dalja në tregje do të bëhet në muajt e parë të vitit të ardhshëm.

Këtë herë do të kërkohet një eurobond me vlerë 500 milionë euro por do të tentohet që afati i maturimit të jetë mes 7-10 vite. Nëse vendi ynë arrin të sigurojë një borxh me maturim 10 vjeçar kjo do të jetë hera e parë që merr një kohëzgjatje të kësaj natyre për një borxh në tregjet e kapitalit. Kjo u tentua edhe në eurobondin e katërt që ishte në vitin 2020 por maturimi i arritur ishte ai 7 vjeçar.

Eurobondi i radhës është i pesti dhe nga ana e qeverisë argumentohet si një nevojë për të mbështetur ekonominë drejt rritjes në kushtet kur pandemia e COVID-19 ka dhënë pasojat e saj./N.Maho/monitor/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!