“Memoriali” i Fierit autonom: Spitali do vetadministrohet, hap drejt rritjes së cilësisë së shërbimit

schedule15:45 - 12 Mars, 2023

schedule 15:45 - 12 Mars, 2023

Nga Ajgena Korbi,

Mesditë fundjave, por në spitalin “Memorial” në Fier ende nuk ka rënë qetësia. Rreth 67 mijë të sëmurë kanë marrë shërbim këtu që prej majit të vitit 2021 kur hapi dyert për qytetarët.

Në prag të dy vjetorit ka nisur puna për të kaluar në një tjetër fazë, atë të autonomisë spitalore, një mundësi që spitalet publike të konkurojnë jo vetëm me njëri tjetrin, por dhe me sistemin shëndetësor privat.

“Memoriali” i Fierit është spitali i parë publik që ka marrë kartën e autonomisë menaxheriale. Por çfarë do të thotë kjo për mjekët dhe pacientët? “

“Kjo për ne do të thotë shumë, se vendosim një bashkëpunim të ri, vendosim prioritete të reja që lidhen me administrimin e burimeve njerëzore, rritjen e cilësisë së shërbimeve në spitalin “Memorial” njëkohësisht me vlerësimin e burimeve tona njerëzore përmes performancës së tyre dhe duke i bërë burimet tona të aplikojnë brenda spitalit praktikën e dyfishtë të punës.”

Spitali vetëadministrohet dhe mjekët specialistë në shërbimin ambulator do të kenë mundësi të paguhen më tepër. Kjo duke vijuar punën në të njejtat mjedise, por  përtej orarit të tyre zyrtar.

“Memorial” i ka kaluar kufijt e të qenit një spital vetëm për rajonin e jugut.  Të sëmurët tregon drejtuesja e tij  nuk vijnë vetëm nga Fieri, Vlora e Gjirokastra, por dhe nga Tirana, Durrësi e Berati.

Procedurat mjekësore në  17 shërbimet e këtij spitali, nga urgjenca e deri tek sallat e operacionit i kryejnë rreth 220  mjekë, infermierë dhe teknikë shqiptarë dhe 38 turq. Erol Inan vjen nga Izmiri dhe është mjek specialist otorinolaringolog.

“Kisha dëgjuar për miqësinë e shtetit turk me atë shqiptar dhe zgjodha të vija të ushtroja profesionin tim këtu. Disa ndërhyrje kirurgjikale që kam kryer në Izmir do ti realizoj dhe në “Memorial”. Këtu kemi të njejtën teknologji si atje. “

Shpërblimi i mjekëve mbi punën që kryejnë me zbatimin e autonomisë menaxheriale pritet të shtojë jo vetëm numrin e specialistëve në dispozicion të pacientëve, por dhe diagnozat që mund të trajtohen prej tyre.

“Për pacientët kjo do të thotë shumë se pacienti do të ketë shërbim 24 orë në 7 ditët e javës.

Falë bashkëpunimit turko-shqiptar, eksperiencës që ekipi turk sjell në Shqipëri dhe trajnimi që ata i bëjnë ekipit shqiptar… Të gjithë qytetarët e rajonit të jugut ata më parë ishin të detyruar të udhëtonin drejt Tiranës.

Konkretisht qytetarët e jugut marrin shërbimin e trombolisë intravenoze që lidhet me sëmundshëmritë neurologjike. Janë 25 qytetarë të jugut që përmes këtyre procedurave inovative që “Memoriali” iu ka shpëtuar jetën.  Para pak kohësh ne kemi hapur dhe një procedurë të re e angjiografisë diagnostikuese cerebrale.  Kjo po bëhet për herë të parë në sistemin tonë publik dhe po aplikohet me rezultate te larta.”

Vetëadministrimi menaxherial i hap rrugën atij financiar.

“Memoriali” ka dy vjet kohë të përgatitet për ta pilotuar për një periudhë tre vjeçare e kështu të mbyllë ciklin që e kthen në spitalin e parë publik që aplikon autonominë spitalore. Buxhetimi i të cilit do të varet nga aktiviteti që kryen. Por çfarë do të thotë kjo për pacientët, a do të paguajnë ata për të marrë shërbim në këtë spital?

“Autonomia financiare në vetëvete ka të bëjë me kostifikimin e shërbimeve shëndetësore brenda spitalit.  Me hartimin e paketave shëndetësore sipas diagnozave apo grup diagnozash  të mirëpërcaktuara dhe ofrimin qytetarëve. Nëse do të ketë fluks dhe inters të lartë të qytetarëve të cilët do të vijnë jashtë sistemit të referimit do të paguajnë kundrejtë këtyre tarifave dhe kostove të cilat ne si menaxhues të spitalit do të kemi vendosur dhe në këtë rast bëhet fjalë për aplikimin e autonomisë financiare. Për të gjithë ata pacientë që do të vijnë përmes sistemit të referimit tarifat janë zero.”

Shërbimi do të jetë falas për të gjithë ata pacientë që ndjekin sistemin e referimit pra do ti drejtohen specialistit  pas rekomandimit të mjekut të familjes.

Aplikimi i autonomisë spitalore i  jep fund epokës së centralizimit të shërbimeve shëndetësore publike të nivelit terciar vetëm në spitalet universitare.

Pas “Memorialit” në Fier tre spitale të tjera ne vend, Qendra Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë,  spitali rajonal i Durrësit dhe ai i Shkodrës kanë filluar procedurat për autonominë spitalore. Në ndihmë të drejtuesve të tyre  kanë shkuar dhe ekipe nga Turqia./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!