Skëndërbeu nuk fiton dot përballë Teutës as në Abissnet Superiore. Vetëm pak ditë pas humbjes në Kupën e Shqipërisë, përballë durrsakëve, pëson disfatën e dytë këtë herë në kampionat.
Migen Memelli ishte i mërzitur pas humbjes edhe pse theksoi se skuadra e tij humbi nga disa episode që nuk ishin në anën e tij.
“Kushtet ishin të papërshtatshme për të luajtur në Korçë, ra përsëri borë. Do të përsëritej ajo ndeshje e Kupës ndaj vendosëm të vinim këtu (“Elbasan Arena”). Si në ndeshjen e parë në Korçë, ku u penalizuam nga një episod, edhe sot ndodhi e njëjta gjë. Vazhdojmë të mos shënojmë dhe kur kjo ndodh, bie cilësia. Na ka penalizuar dëmtimi i Mensah…
Gjendje shoku: “Skuadrat në Shqipëri nuk kanë emër, të gjitha ndeshjet janë të vështira. Në këtë kontekst, në këtë pikë të kampionatit vështirësohen gjërat. Shpresoj të rritim besimin dhe të punojmë në këto pika ku çalojmë. Nuk po kemi edhe fatin me vete dhe, dashur pa dashur, lojtarët bien në gjendje shoku. Na bie detyra si staf t’i rregullojmë këto probleme.”
Mungesa e lojtarëve që bëjnë diferencën: “Nuk më pëlqen ta referoj lojën te një lojtar, forca e një skuadre është grupi. Në këtë këndvështrim, nuk mund të them gjëra të tepërta, sepse me këta punoj çdo ditë. Mensah dhe Berisha nuk janë ata të fazës së parë. Vijnë të dy nga dëmtimet. Moraes gjithashtu ka dëmtim në gju presim të rikuperohet, u prishën disa balanca”, theksoi Memelli. /f.a/acbnews.al