Skënderbeu e rinis kampionatin me një ndeshje brenda, ndaj Laçit që e mbyllin vitin me pesë fitore radhazi. Në prag të kësaj ndeshjeje, që luhet nesër prej orës 16:45, ka folur trajneri Migen Memelli.
“Kemi bërë nja dy afrime, të cilat i kemi parë të arsyeshme për të plotësuar vendet vakante. Besoj se do të plotësojmë edhe një repart tjetër, që të kemi një grup sa më të fortë dhe të kemi alternativa në të gjitha repartet.
Skuadra është ndërtuar mirë që nga fillimi i sezonit dhe baza e lojtarëve është dhe do të jetë deri në fund të sezonit. Presim të mbyllim një marrëveshje tjetër dhe pastaj çdo gjë do të jetë e qartë për ne.
Janë 2-3 lojtarë me dëmtime dhe besoj se periudha kampionatit që mbetet, do të jetë një luftë e egër dhe mjaft e gjatë. Berisha dhe Vitija do të jenë jashtë.
Të gjithë lojtarët që do të aktivizohen nesër në fushë, kanë besimin tonë. Shpresoj të bëjnë një performancë të mirë, si në javët e kaluara, por dhe të marrim rezultat në fund. Laçi është një skuadër shumë cilësore dhe ndër katër më të mirat në kampionatin tonë”, tha Memelli. / abcnews.al