Mema: Tirana ime luan vetëm në sulm, nuk i trembem asnjë ekipi!

schedule20:31 - 2 Tetor, 2019

schedule 20:31 - 2 Tetor, 2019

Ardian Mema është rikthyer të flasë sërish pas derbit. Pas ndeshjes me Shënkollin në Kupë, të fituar me rezultatin 4-0, trajneri i bardhebluve preku disa tema të rëndësishme në deklaratën e lëshuar për mediat. Dënimi nga Disiplina, presioni, problemet në mbrojtje dhe sfida me Flamurtarin u komentuan nga tekniku i bardheblu.

DËNIMI NGA DISIPLINA – “Kjo është për t’u parë në momentin që do të dalë ligji. Me të do të rregullohen gjërat, ndoshta edhe këto hekurat do t’i largojë. Njerëzit duhet të ndërgjegjësohen që të mos futen në fushë apo të bëjnë gjëra të tilla. Megjithatë derbi ka bukuri edhe prej këtyre gjërave që ndodhin (qesh). Duhet patur kujdes sa i përket hyrjes në fushë, pasi për tifozët janë pjesa më e rëndësishme. Kemi nevojë për ta dhe nuk mund të luajmë pa tifozët në fushën tonë”.

ULTIMATUMI – “Nuk e di ku i merrni vesh këto ultimatumet. Di që ky ekip është ndërtuar për të fituar dhe kjo është e rëndësishme. Pastaj për ultimatume unë nuk di gjë”.

PRESIONI – “Nuk punohet nën presion, pasi sërish do gabosh. Ekipi ka luajtur mirë dhe kjo më nxjerr jashtë presionit. Partizanit ia dhuruam ne fitoren përmes episodeve, jo se na mundën ata. Me ekipin kam folur. E mira dhe e keqja duhen thënë ashtu siç janë. Një gjë që u kam thënë lojtarëve është se po të luajmë sikur 26 minutat e para me Partizanin, nuk më tremb asnjë ekip. Ajo lloj loje të jep shumë shpresë, pavarësisht mënyrës se si i pësuam golat. Ashtu duhet të luajmë vazhdimisht”.

KUPA – “U mundova të shikoj disa pozicione, pasi do ketë momente që do kemi të pezulluar, apo të dëmtuar. Ose do ketë momente për të zëvendësuar ndonjë lojtar që nuk ka shkuar mirë. Kjo ishte ndeshje më dha mundësinë për të parë edhe lojtarë të tjerë. Ishte si pikënisje për kampionatin”.

FLAMURTARI – “Asnjë kundërshtar nuk duhet nënvlerësuar. Një rezultat pozitiv na kthen anën e mirë psikologjike. Pastaj kemi edhe pushimin që bëjnë të ndryshojnë disi gjërat. Kemi pasur një lloj shoku pas humbjes me Partizanin. Fitorja dhe koha të japin disi qetësi”.

MBROJTJA – “Ka qenë një moment aksidenti përplasja e Kërçikut, apo ai pasi i gjatë që njëherë në 100 vjet mund të ndodhë. Sidomos ai goli i dytë. Mbrojtja dhe ekipi po luanin mirë në aspektin mbrojtës. Ndodh një diskutim që Tirana luan në sulm. I konsideroj të dyja fazat e loja. Realisht kemi theks sulmues dhe na kapin ndonjëherë pa ekuilibër. Nuk do të luaja kurrë mbrapa, do vazhdoj të luaj  në sulm sërish”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!