Ardian Mema, trajneri i Tiranës, është ndalur të flasë për ekipin e tij pas miqësores së djeshme kundër Turbinës. Bardheblutë triumfuan 3-1 dhe stafit teknik të kryeqytetasve u ka shërbyer kjo ndeshje. Këtë e pranoi edhe Mema në deklaratën e dhënë për ABC News.
“Kjo miqësore shërbeu edhe për të parë lëvizjet në pozicione, si dhe gjendjen e lojtarëve që kemi pasur me dëmtime. Një rast është ai i Karabecit, i cili nuk ka luajtur. Gradualisht po e merr veten. Më pëlqeu ndaj Turbinës, më kujton vitin e kaluar kur ishte pjesë e rëndësishme e ekipit. Do e shohim në vazhdimësi. Na duhet t’i kemi të gjithë lojtarët në dispozicion për gjithë kampionatin”, tha Mema.
SULMI DUNGA-NGOO – Trajneri i Tiranës mund t’i gëzohet faktit që shënuan dy sulmuesi, Ngoo dhe Dunga. Ata ishin titullarë dhe Mema e komenton kështu aktivizimin e të dyve nga fillimi: “Nuk ishte një eksperiment. Ishte një vendosje 4-2-4, që në dinamikë kthehet në 4-2-3-1. Më duhet, pasi mund të ketë ndeshje që mund t’i zgjidhësh me topa të gjatë. Janë dy lojtarë shtatlartë. Pashë mënyrën se si veprojnë të dy. Në një të ardhme mund ta vendos ekipin në këtë formë, në varësi të situatave të lojës”.
LAÇI – Ndeshja e radhës për Tiranës është ajo kundër Laçit. “Nga momenti që kam ardhur te Tirana kemi fituar pjesën dërmuese të ndeshjeve kundër Laçit. Është një ekip shumë i fortë, që ka shumë ekuilibër. Duhet ta përgatisim ndeshjen mirë, që të fitojmë dhe të kthejmë entuziazmin në ekip. Çdo ndeshje të çon në vend të parë, duke qenë se të gjithë ekipet janë pranë. Deri në minutën e 92-të në Vlorë ne ishim në vend te parë”, shtoi Mema.
TIFOZËT – Tekniku i bardhebluve foli edhe për tifozët: “Shpresoj që ligji i hyrë në fuqi të jetë rregullator. Besoj se në të ardhmen nuk do të kemi probleme të tilla. Ndoshta mund të jetë ndeshja e fundit pa tifozë dhe të gjithë të ndërgjegjësohen që nuk duhet të hyjnë në fushë. Tifozët e Tiranës janë pjesa më e rëndësishme e klubit, janë aset. Duhet të kemi kujdes, pasi ne edhe dëmtohemi nga veprime të tilla. Me Laçin me tifozë? Nuk jam interesuar shumë për këtë pjesë. Kemi qenë pushim, plus kam pasur edhe problemet e mia”.
KËRKESA PËR 3 PIKËT – Tirana kërkoi tre pikët në tavolinë ndaj Flamurtarit, por Komisioni i Disiplinës e hodhi poshtë kërkesën e klubit bardheblu. Në lidhje me atë që ndodhi në Vlorë ka folur edhe Mema: “Asnjëherë nuk e kam gjykuar që një ekip mund t’i marrë pikët në tavolinë. Nuk më pëlqen fare kjo pjesë. Pavarësisht se nuk mund të jetë shënuar në protokoll, nuk mund ta fitojë ndeshjen në tavolinë dhe në letra. Ndeshjet fitohen në fushë, jo në letra”. /abcnews.al