Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha sot, të enjten, se ftesa e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Paris, ku ai u takua me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz, ishte “e pahijshme”.
“Unë besoj se forca jonë është veprimi dhe uniteti i përbashkët, por ka raste kur opinioni publik i favorshëm brenda vendeve rrezikon të jetë në dëm të qëllimit të përbashkët dhe kjo më duket se i përket këtyre rasteve”, tha kryeministrja italiane në Brukseli.
Për më tepër, në një intervistë për gazetën franceze Le Figaro dhe revistën gjermane Der Spiegel, Zelensky shprehu falënderimet e tij ndaj presidentit francez Macron për qëndrimin e tij ndaj Ukrainës, duke theksuar se “në fund të fundit, ai është ai që hapi rrugën për dorëzimin e tankeve në Ukrainë”.
Ai tha gjithashtu se presidenti francez ka “ndryshuar vërtet” që nga koha kur deklaroi se “Rusia nuk duhet të poshtërohet”, gjë që kishte shkaktuar shqetësime të forta në Kiev.
Meloni, megjithatë, do të takohet me Zelenskin në kryeqytetin europian në margjinat e takimit të liderëve të Bashkimit Europian.
Presidenti ukrainas tashmë ka mbërritur në kryeqytetin europian për të marrë pjesë në Samitin e Bashkimit Europian, ndërsa pritet të mbajë një fjalim në Parlamentin Europian.
Furnizimi i sistemeve edhe më të fuqishme të armëve nga europianët është qëllimi i tij kryesor, pasi ushtria ruse rrit përpjekjet e saj për të marrë të gjithë rajonin industrial të Donbasit në Ukrainën lindore.
/abcnews.al