Zonja e Parë e SHBA Melania Trump ka bërë thirrje për unitet racor në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë.
“Ndaloni dhunën dhe plaçkitjen”- ishin thirrjet e Melania Trump, në një moment kur protestat kanë shpërthyer sërish në Wisconsin pasi policia qëlloi një afro-amerikan.
Zonja Trump u bëri thirrje amerikanëve të ndalojnë supozimet e bëra mbi racat dhe të reflektojnë në mënyrë kritike rreth historisë së SHBA-së.
“Si të gjithë ju, unë kam reflektuar mbi trazirat racore në vendin tonë,” tha ajo.
“Është një realitet i ashpër dhe ne nuk jemi krenarë për këtë pjesë të historisë sonë. Ju lutem mësoni nga e kaluara dhe fokusohuni te e ardhmja”.
Presidenti nga ana tjetër është akuzuar shpesh nga kundërshtarët se po shkakton tension racor. Në fjalimin e saj zonja Trump gjithashtu shprehu solidaritet për shqetësimin që kanë amerikanët në lidhje me shpërthimin e koronavirusit, i cili ka shkaktuar më shumë se 178,000 viktima.
“Unë e di se shumë njerëz janë në ankth,” tha ajo. “Disa ndihen të pafuqishëm. Por unë dua t’ju bëj të ditur se nuk jeni vetëm.”/abcnews.al