Peshku i quajtur Tequila është rikthyer në lumenjtë e Meksikës jugore pasi u shpall specie e zhdukur në vitin 2003. Habitatet e ujërave të ëmbla dhe gjallesat që jetojnë në to janë më të kërcënuarat sipas Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës. Ndotja po rrezikon kafshët, lumenjtë dhe liqenet kudo në botë raporton “BBC”. Komuniteti lokal që jeton afër zonave ku jeton peshku Tequila ka luajtur një rol kyç në monitorimin e cilësisë së ujit të lumenjve dhe liqeneve.
Profesori Omar Dominguez i Universitetit Michoacana tha se ata nuk mund ta kishin realizuar këtë gjë pa ndihmën e komunitetit lokal. Kjo është hera e parë në Meksikë që një specie peshku e shpallur e zhdukur është rikthyer në habitatin e saj . Ky projekt do të shërbejë si precedent i rëndësishëm për ruajtjen e ardhshme të llojeve të shumta të peshqve që janë të kërcënuar apo edhe të zhdukur në natyrë. Studiuesit në fillim lëshuan 1500 peshq dhe tani popullsia po zgjerohet në sistemin e lumenjve. Ky është një projekt i krijuar nga studiues britanikë dhe meksikan.
Në vitin 1998 akuaristi Ivan Dibble i Kopshtit Zoologjik Chester i dorëzoi 5 çifte peshqish Njësisë së Biologjisë Ujore të Universitetit Michoacana. Studiuesit i lëshuan këta peshq në pellgje të mëdha artificiale duke krijuar një koloni prej 10,000 peshqish në 15 vite. Ky projekt shpresohet që të jetë një model për të mbrojtur kafshë të tjera si një lloj salamandre që jeton në një liqen në veri të Meksikës. Ky amfib unik i cili besohet në kulturën vendase se ka veti shëruese është shpëtuar nga zhdukja pjesërisht nga një grup lokal murgeshash të cilat drejtojnë një strukturë për mbarështimin e kafshëve në robëri.
Profesori Gerardo Garcia tha se sukseset e këtyre projekteve tregojnë që kafshët mund të ripërshtaten me natyrën e egër kur rifuten në kohën e duhur dhe në mjediset e duhura. / abcnews.al