Dritan Mehmeti, trajneri i Partizanit, ka dalë para mediave në prag të ndeshjes me Teutën. Fillimisht ai foli për stërvitjet në ambientet e klubit: “Ka qenë ditë historike stërvitja në klub, ka pasur shumë entuziazëm. Është një investim kolosal i presidentit, shpresoj të jetë ogur i mirë për skuadrën dhe rezultatet”
Në lidhje me ndeshjen e nesërme, Mehmeti shtoi: “Skuadra e Teutës është kampione në fuqi dhe pavarësisht luhatjeve nuk është kundërshtare e lehtë. Do të jetë histori tjetër nesër, pavarësisht fitores sonë në fazën e tretë.
Duhet të jemi të përqendruar, të jemi profesionistë dhe të japim maksimumin. Duhet të kemi mentalitetin e duhur për ta fituar ndeshjen. Stafi dhe lojtarët, të gjithë duhet të jemi me këmbë në tokë për mënyrën sesi duhet ta menaxhojmë ndeshjen”.
“Partizani është në mesin e tabelës, por jemi në garë dhe me një fitore mund të jesh në luftë për një vend në Europë, që është objektivi minimal. Për sa i përket motivimit, skuadra nuk ka freskinë e duhur, kjo e bën të duket si e pamotivuar. E kam theksuar shpesh, Partizani është në garë për objektivin minimal si në kampionat dhe Kupë. Janë 27 pikë në lojë, s’kemi pse të dorëzohemi.”
“Të gjitha skuadrat vuajnë për stadium, ka humbur miti i fushës. Ndoshta mund ta kesh më të lehtë kur luan në transfertë. Statistikat tregojnë se skuadra është në përmirësim e sipër. Më shumë na ka shqetësuar mënyra sesi e pësojmë golin, por kemi qenë të përqendruar edhe te shënimi i golit. Në 20 metrat e fundit kemi pasur shumë situata, por nuk kemi mundur të shënojnë. Duhet të jemi më cinikë”, tha Mehmeti. / abcnews.al