Mehmeti: Sot humbëm 2 pikë, na mungon qetësia në 20 metrat e fundit

schedule22:18 - 25 Shkurt, 2022

schedule 22:18 - 25 Shkurt, 2022

Partizani doli më një pikë nga “Elbasan Arena”  ku përballë kishte Dinamon, ndeshje e vlefshme për javën e 22-të të Abissnet Superiore.

Një sfidë që demat nuk shfrytëzuan dot barazimin e Vllaznisë, për tu afruar me vendin e 4-të në tabelën e klasifikimit.

Pas ndeshjes trajneri Dritan Mehmeti ka treguar se çfarë nuk funksionoi siç duhet te skuadra e tij, ndërsa vazhdon e thekson se demat vuajtën në finalizim.

 “Vazhdojmë të vuajmë pjesën e sinkronizmit dhe qetësisë përpara portës. Nxitohemi në mënyrën se si duam ta gjejmë golin, kështu u treguam në 2-3 momente. Janë situata që duhet t’i zgjidhësh me qetësi dhe durim këto situata.

Më pas lojtarët tregohen të padurueshëm për të shkuar te goli. Skuadra ishte e motivuar maksimalisht, por çdo ndeshje ka historinë e vet. Nuk do të thotë se e ke të lehtë përballë një skuadre që e ke mundur më parë.

Kundërshtari ishte vendosur me shumë forcë mbrapa. U mundova të vertikalizoj me Kallakun dhe Malën. Kallaku duhet të kishte gjuajtur më mirë në pjesën e parë, Cara u vonua te mundësia e tij. Humbjet e këtyre rasteve ndikojnë që lojtarët të humbasin qetësinë.

Ka disa situata në lojë që drejtohen nga lojtarët. Te fitorja shkohet duke qenë i duruar, nuk duhet të dalësh jashtë filozofisë tënde, fitorja vjen edhe në minutën e 90’ apo 95’.

Kishim edhe problem fizike, por nuk është justifikim. Lëvizjet e Malës ishin zgjedhjet e mia, duhet të përshtatemi edhe përballë kundërshtarit. Duhet të ishim shumë më konkret. Problemin e kemi te 20 metrat e fundit.

Lojtari para mbrojtjes? Duhet të përshtatemi, lojtarët që kam në atë pozicion janë me natyrë tjetër. Unë jam munduar të përshtas lojtarët që kam.

Gjithmonë jam munduar që objektivi i radhës të jetë ndeshja në vazhdim. Nëse shohim larg, nuk shohim atë që kemi afër. Sot humbëm 2 pikë, duhet të ishim me më shumë personalitet në 20 metrat e fundit. Dinamo nuk na rrezikoi, ndërsa ne humbim qetësinë në 20 metrat e fundit.

Nuk është aq e lehtë të sinkronizosh mënyrën e lojës së Kallakut. Jam munduar shumë që të jetë ai lojtari që na jep qetësinë dhe pasin e fundit në 20 metrat e fundit, por është e vështirë, pasi edhe Skuka ka nevojë për hapësira. Jam munduar që ta mësoj të bëj kundër-veprime dhe lëvizje të shumta, por është e vështirë.

Linja e parë e sulmit ka ndryshuar. Kam përdorur Malën, Stenio Junior dhe Carën. Tani kemi edhe Kallakun dhe Skukën. Te pasimi i fundit vuajnë edhe skuadrat e mëdha”, deklaroi trajneri i Partizanit. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!