Mehmeti: Raste si ai i Junior nuk humben, keqardhje për pikët e lëna

schedule22:16 - 5 Mars, 2022

schedule 22:16 - 5 Mars, 2022

Dritan Mehmeti, trajneri i Partizanit, pas derbit me Tiranën foli në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport. Sigurisht nuk mund të mos komentohej edhe rasti i humbur nga Stenio Junior, që mund t’i jepte tre pikët “Demave të kuq”.

“Normalisht ashtu siç u interpretua, mendoj se pjesën e parë ishin ata më dominues, pasi skuadra nuk u vendos siç duhej, pastaj ishim ne në të dytën dhe ishim më të qetë. Por ka dhe raste si ai i Junior, që nuk duhet humbur, pasi derbi nuk të jep shpesh mundësi të tilla. Megjithatë ky është rezultati dhe duhet vlerësuar e gjithë skuadra.”

“E gjithë situata e pjesës së parë erdhi sepse pas mesfushës së Tiranës nuk arritëm të lidheshim me Kallakun. Spostimi i Malës na dha më shumë mundësi veprimi, iu kundërpërgjigjëm Tiranës dhe kishim shumë mundësi të arta me Junior që nuk mundi të shënonte.”

“Është shumë e drejtë, duhet të ishim pak më tepër më të sinkronizuar në mesfushë në zotërimin e topit pjesën e parë. Junior është një lojtar që duhet të bëjë diferencën, por nuk po kalon një moment të mirë. Megjithatë kam Carën, që në disa raste duhet të kapë mundësinë.”

“Skuka? Ai është një lojtar që kërkon gjithmonë thellësi, është natyra e tij që duhet të mbështetet nga mesfusha, kërkon gjithmonë të driblojë te porta e kundërshtarit. Megjithatë ai është përmirësuar, por kërkova që Junior dhe Mala të shkonin në linja të ndërmjetme për ta mbështetur. Skuadra është në ndërtim e sipër, megjithatë më pëlqen ritmi i skuadrës dhe besoj se do përmirësohemi në vazhdimësi.”

“Pikët e lëna? Kam keqardhje, pasi kemi dy tre ndeshje që duhet të kishim marrë e meritonim më shumë. Kemi shpërdoruar shumë raste si ky me Junior, me Vllazninë Cara dhe shumë raste me Dinamon. Megjithatë ky është futbolli dhe duhet të rrimë me këmbë në tokë.”

“Kam pasur besimin që në fillim te skuadra. Më vjen keq sepse Partizani duhet të arrijë aty ku e meriton. Skuadra duhet të rrijë me këmbë në tokë dhe do të shohim javën që vjen dhe ndeshjen e radhës, dua të rri me këmbë në tokë dhe nuk dua të mendoj fundin”, tha Mehmeti. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!