Partizani do gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë dhe për këtë duhet të mundë nesër Dinamon. Takimi i parë ka përfunduar 1-1 dhe tani do vendoset gjithçka në “Air Albania”, në një ndeshje që nis prej orës 18:00.
“Normalisht fitorja ndaj Teutës ndikon pozitivisht dhe jep entuziazëm, por duhet ekuilibër. Me Dinamon është ndeshje specifike, është vetëm një ndeshje. Jemi munduar ta përgatitim ndeshjen në mënyrën e duhur. Kam një thirrje për tifozët tanë të zjarrtë, që të jenë në stadium, pasi janë pjesë e pandashme e jona dhe nuk ia dalim dot pa ta”.
“Dinamos i kemi dhënë vlerësimin e merituar. Duhet të japim maksimumin, të kemi ekuilibër. Nuk duhet të udhëhiqemi vetëm nga dëshira, por nga logjika, pasi janë 90 minuta të zjarrta. Nuk e kemi humbur betejën në kampionat, pasi janë edhe 51 pikë lojë. Ne jemi Partizani dhe do ta respektojmë garën, javë pas jave. Nesër do mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës. Më pas do vlerësojmë çdo ndeshje në kampionat”.
“Partizani ka ndryshuar filozofinë e lojës. Luajtëm mirë me Teutën, kemi një frymë tjetër. Në ndeshjen e parë të Kupës me Dinamon, dominuam në pjesën e dytë. Në Laç luajtëm mirë. Me Kastriotin kemi vuajtur pak para portës. Ndeshjet nuk i ngjajnë njëra-tjetrës”.
“Dëmtimet e Bitrit, Markut dhe Skukës? Kemi pasur probleme dëmtimesh dhe virozash. Unë e bazoj lojën te grupi, jo te individi. Skuadra e ka treguar që edhe me mungesa, forca e grupit ka dalë mbi individin. Do shoh seancën e sotme dhe më pas me stafin do të vendosim”.
“Titull apo Europë nga kampionati? E shikojmë javë pas jave situatën. Nuk e meritojmë të jemi në këtë pozicion. Pas çdo ndeshje do të shikojmë edhe objektivin. Nuk mund të flasim për momentin për diçka të tillë”, tha Mehmeti. /h.ll/abcnews.al