“Mega-operacioni në bashkëpunim me Policinë”, gazetarët: Informacioni po rrjedh, çfarë s’po shkon me SPAK

schedule13:09 - 20 Maj, 2022

schedule 13:09 - 20 Maj, 2022

Pasditen e së enjtes SPAK dhe Policia e Shtetit dhanë detaje rreth zhvillimit të operacionit të koduar policor “Golden Bullet”. Në konferencën për mediat, kreu i SPAK, Arben Kraja dhe ai i Policisë së Shtetit Gledis Nano bënë të ditur se operacioni është në vijim ndërsa u bë e ditur se janë prerë urdhër arreste për 32 persona, por janë ekzekutuar vetëm 18 prej tyre.

“Golden Bullet” u cilësua si “mega operacion”, por për gazetarët e kronikës Ermal Vija dhe Xhevahir Zhabina, situata është krejt ndryshe.

Gazetari Vija shpjegon në ABC Live se në këtë rast kemi vetëm dy momente kryesore: “Nuredin Dumani u arrestua në mars pasi u plagos kur kishte shkuar për të kryer një tjetër atentat. Nuk u arrestua nga puna e policisë. Dhe, së dyti, SPAK tha se janë zbardhur disa ngjarje kriminale, por duhet që dëshmitë të përputhen me provat. SPAK deri tani ka vetëm dëshminë e Dumanit dhe provat e mbledhur ndër vite.”

Lexo edhe: “Nuk pyesim për të fortë”, SPAK e Policia detaje për operacionin “Golden Bullet”: Dhunë e egër dhe krime mes grupeve kriminale

Një tjetër problem që ngrenë gazetarët është rrjedhja e informacionit. Mes gazetarësh kishte informacione rreth aksionit të SPAK të paktën disa ditë përpara se të ndodhte. Ka gjasa që edhe personat që do të goditeshin nga SPAK e Policia të jenë vënë në dijeni dhe të jenë larguar nga vendi.

“SPAK ishte deri diku i detyruar të ndërhyjë. Ne e dinim disa ditë para për operacionin. Informacioni kishte nisur të rridhte. Ka gjasa, që personazhet ta kenë marrë vesh që do të kishte arrestime… Dumani do të flasë edhe për çështje të tjera. Jo rastësisht ndodhej në Fier. Mund të ishte porositur një vrasje. Ka diçka që nuk shkon me operacionet e SPAK-ut në vazhdimësi. Merren disa ditë para, muaj përpara. Rasti Koka, Bllako, gazetarët i dinin përpara kohe. Edhe në këtë rast e dinim disa ditë para që do të bëhej. Ka rrjedhje informacioni, janë disa institucione që janë të përfshira dhe me rrjedhjen e operacioneve të kërkuarit mund të largohen,” sqaron gazetari Xhevahir Zhabina. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!