Mediu thirrje ndërkombëtarëve e socialistëve: Ndaloni 30 Qershorin

schedule19:25 - 24 Qershor, 2019

schedule 19:25 - 24 Qershor, 2019

Ka reaguar edhe kreu i Partisë Republikane që në një deklaratë për mediat, u ka bërë thirrje socialistëve e ndërkombëtarëve, që të ndalojnë zgjedhjet me 30 Qershor. Fatmir Mediu tha se Rama po keqpërdor Kolegjin Zgjedhor, e po e çon vendin drejt konfliktit civil.

“I bëj thirrje të gjithë socialistëve që besojnë tek liria dhe demokracia, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, tek qeverisja për njerëzit dhe tek njerëzit, që duan një shtet pa krim dhe korrupsion. Të bashkohen me gjithë shqiptarët për të shmangur konfliktin civil që po përgatit qëllimisht Rama me klanet e tij nëpërmjet një procesi farsë zgjedhor të paprecedentë më 30 Qershor. Ram sot ka kapur dhe përdor politikisht institucionet zgjedhore si KQZ, me një mazhorancë politike të aprovuar në mënyrë antikushtetuese, e provuar e paligjshme dhe apolitike në çdo vendim të saj, Kolegjin Zgjedhor nëpërmjet presionit të gjyqtarëve dhe Vettingun politik.

Rama ka vjedhur zgjedhjet në çdo rast me bandat të cilat kanë komanduar strukturat elektorale të PS, ka shkatërruar dhe po shkatërron pushtetin gjyqësor. Jemi i vetmi vend në botë pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë, e ka kthyer çdo gjë në funksion të tij, krimit dhe korrupsionit. Procesi farsë dhe i dhunshëm që po organizon në datën 30 Qershor është instalimi përfundimtar i grushtit të shtetit dhe diktaturës së krimit dhe korrupsionit në Shqipëri. Më 30 Qershor nuk duhet dhe nuk do të ketë zgjedhje të ligjshme. Në emër të PR i bëj thirrje gjithashtu faktorit ndërkombëtar, atyre që kanë mbështetur pluralizmin, kushtetutshmërinë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, që mbështetën Shqipërinë në NATO dhe në rrugën tonë evropiane të ndalojnë këtë krim elektoral dhe antikombëtar të Ramës, i cili do të ketë pasoja jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin”, tha Mediu./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!