Mediu: Opozita duhet të krijojë një marrëdhënie të re me shqiptarët

schedule09:23 - 23 Janar, 2021

schedule 09:23 - 23 Janar, 2021

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu në takimin me strukturat e PR në qytetin e Durrësit theksoi se viti 2021 është me rëndësi jetike për vendin. Partia Republikane po merr masat që në çdo rast të evidentojë kandidatët e saj nëse do t’i duhet të kandidojë e vetme.

“Rama ka shkatërruar çdo institucion që garanton demokracinë dhe rrugën europiane të vendit. Ne duhet t’i shtrojmë pyetjet vetes se:

A jemi ne në ato standarde që duam, për t`u bërë vend i Bashkimit Europian?  Për më tepër, ëndrra jonë europiane është më afër, apo më larg?

Shtatë vite rresht, Bashkimi Europian ka refuzuar hapur Edi Ramën. Nuk ka refuzuar shqiptarët, por ka refuzuar një qeverisje të korruptuar, një regjim të korruptuar, i cili ka shkatërruar në themel, liritë dhe të drejtat tona, mundësitë tona ekonomike, për të zhvilluar ekonominë familjare dhe ekonominë tonë kombëtare, mundësitë për punësim, dhe nga ana tjetër, po ashtu, ka rritur në nivele të papranueshme, tërësisht shkatërruese, korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha ai.

Sipas Mediut çdo moment që kalon është në dëm të qytetarëve dhe të opozitës. Teksa ende nuk ka arritur një marrëveshje me Lulzim Bashës, kreu i PR ka ritheksuar edhe njëherë se opozita duhet të vijë me një marrëdhënie të re me shqiptarët.

“Çdo moment që kalon, është në dëm të qytetarëve shqiptarë. Çdo moment që kalon, është në dëm të opozitës shqiptare. Opozita shqiptare duhet të vijë në radhë të parë, në një marrëdhënie të re me shqiptarët, në një marrëdhënie për të bashkuar shqiptarët, për të bashkuar veten. Mënyra për të bashkuar shqiptarët është për të krijuar ide të qarta dhe qëndrime të qarta, se çfarë duhet të bëjmë dhe si duhet ta ndryshojmë këtë realitet, duke u nisur nga eksperiencat e vjetra, pozitive, por duke ndërtuar dhe marrëdhënie të reja.

Gjëja e parë që ka nevojë opozita, më tepër se të bashkohet me një apo me dy koalicione, është të krijojë një marrëdhënie të qenësishme politike me qytetarët, nëpërmjet një kontrate të qartë politike, dhe një kontrate morale, që përcakton detyrimet tona si politikanë, përballë qytetarëve shqiptarë, për të realizuar të gjitha ato që janë detyrimi ynë karshi qytetarëve, në respektim të lirive dhe të drejtave të tyre, për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme, për të krijuar mundësi punësimi, për të mbështetur biznesin, për të krijuar reforma të rëndësishme, luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit, për të garantuar që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, brenda katër vjeçarit të parë, ashtu siç e bëmë në vitin 2005 vend anëtar të NATO-s, brenda një katër vjeçari. Ne bëmë luftë me korrupsionin, luftë me krimin, me ndërtimin e institucioneve, me investime të rëndësishme në infrastrukturë, në energjitikë dhe në sektorë të tjerë të rëndësishëm, zhvilluam ekonominë, ndërtuam dhe forcuam demokracinë shqiptare’, tha Mediu.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!