Mediu me të rinjtë e Njësisë 10: Papunësi e shpopullim, kjo është qeveria më antishqiptare në histori

schedule10:25 - 7 Prill, 2021

schedule 10:25 - 7 Prill, 2021

Fatmir Mediu, kandidati 7 i “Aleancës për Ndryshim”, zhvilloi takime me të rinj të Njësisë Nr.10 në Tiranë. Gjatë takimit, Mediku kërkoi mbështetjen e të rinjve për numrin 7 dhe për koalicionin “PD-AN”.

Kreu i Republikanëve  gjatë fjalës së tij vuri theksin tek niveli i papunësisë në vend, shpopullimi si dhe tek deklarata e kryeministrit Edi Rama për marrjen e punonjësve nga Bangladeshi.

FJALA E PLOTË E MEDIUT

“Realiteti është që ne kemi ecur mbrapa, madje në një drejtim tërësisht të paditur, një drejtim i cili nuk ka të bëjë me interesat e Shqipërisë dhe interesat e shqiptarëve.

Papunësia është rritur në mënyrë galopante. Në çdo 5 të rinj, 3 janë të papunë. Me pandeminë është rritur papunësia akoma më shumë. Mbi 490 mijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria. Mbi 90% e atyre që kanë mbaruar studimet jashtë, me mund, me djersë, nuk duan të kthehen më në Shqipëri.

Po ashtu borxhi publik është rritur në shifra katastrofale, borxhi publik ka shkuar mbi 80%, kjo për shkak të aferave korruptive dhe korrupsionit masiv të Edi Ramës.

Dhe sot jemi në këtë moment që duhet të gjykojmë më shumë sesa politika e majtë apo e djathtë, cila është vlera e shoqërisë shqiptare, çfarë duhet të garantojmë ne, dhe unë i rikthehem asaj që ne filluam në vitin 1990.

Ideja jonë ishte që ta bënim Shqipërinë si Europa. Ishim të rinj dhe luftonim gjithmonë me këtë bindje, pa e ditur shume se çfarë ishte politika, por me një shpresë se po largonim një regjim të korrutuar, i cili na kishte hequr mundësinë për të qenë të lirë, mundësinë për të folur atë që donim, mundësinë për të ndërtuar një shoqëri, e cila të ishte një shoqëri funksionale dhe t`i shërbente në radhë të parë interesave tona, lirisë tonë, dinjitetit tonë, familjeve tona dhe për të realizuar qëllimin si komb, që të ishim shqiptarë të bashkuar në Evropën e Bashkuar.

Nuk është se kjo është qeveri e të majtëve dhe po ndëshkon të djathtët. Kjo është qeveria më antishqiptare që ka njohur historia e Shqipërisë. Një njeri i cili në koshiencë të plotë, në mënyrën më kriminale të mundshme, thotë që shqiptarët janë të paaftë për të punuar, janë dembelë, të pakualifikuar, dhe ne do të marrim punëtorë nga Bangladeshi apo nga Afrika për t`i sjellë në Shqipëri, do të thotë jo vetëm ta çpopullosh Shqipërinë, por në thelb ta ç’kombtarizosh Shqipërinë, dhe kjo është tradhti kombëtare.

Raporti ynë duhet të jetë një raport i drejtë me njerëzit, sidomos me rininë, për t`i dhënë asaj mundësi për të shpresuar dhe për të ndërtuar atë cka i duhet, në vendin e vet. Në qoftë se në një vend dominon urrejtja, sharja dhe fyerja, ilaçi më i mirë i atij vendi është respekti, dashuria dhe vlerësimi për njëri-tjetrin”. sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!