Mediat turke kanë raportuar se gazetari Khashoggi mund të jetë shkrirë në acid brenda konsullatës saudite në Stamboll për të fshehur trupin e tij. Kjo është edhe një pistë që po hetohet edhe nga autoritetet turke.
Policia turke “po heton seriozisht” mbi hipotezën që trupi i gazetarit dissident saudit Jamal Khashoggi, i zhdukur me 2 tetor pasi kaloi derën e Konsullatës së vendit të tij në Stamboll, të jetë shkrirë në acid. Kështu të paktën shkruan e përditshmja “Haberturk”. Ndër të tjera autoritetet lokale, siç bën të ditur gazeta “Sabah”, do të kryejnë një inspektim të brendshëm të Konsullatës Saudite në Stamboll.
Pista e mundshme, në të cilën po punojnë agjentët e MIT, shërbimet secrete të Turqisë, nisi nga një denoncim i Turan Kislakci, mik i gazetarit Khashoggi dhe kryetar i Shoqatës së mediave turko-arabe. Kislakci, që në orët e para tha se vrasësit kanë zhdukur menjëherë trupin e 59-vjeçarit. Inspektimi do të zhvillohet në praninë e hetuesve turq dhe atyre arabë, që zbritën javën e kaluar në Stamboll në bazë të një marrëveshje mes Ankarasë dhe Rijadit për formimin e një “grupi pune të përbashkët”.
Megjithatë dy vendet, thekson qeveria turke, do të zhvillojnë edhe hetime të ndara. Hapja e portave të Konsullatës është premtuar nga autoritetet saudite disa ditë më parë. Khashoggi prej vitesh jeton në ekzil në SHBA. Gazetari, i cili bashkëpunonte me Uashington Post, ka kritikuar shpeshherë qeverinë Saudite për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut./abcnews.al