Mediat serbe: NATO monitoronte ushtrinë serbe

schedule15:22 - 9 Prill, 2018

schedule 15:22 - 9 Prill, 2018

Sipas mediave serbe, gjatë arrestimit të Marko Gjuriç në veri të Mitrovicës, nga forcat speciale të Kosovës, NATO mbante nën vëzhgim ushtrinë serbe, për të shmangur një përshkallëzim të situatës.

Gjatë kohës, kur Marko Gjuriç, drejtori i ashtuquajturës Zyra për Kosovën, u arrestua në Kosovë më 26 Mars, ndërsa në Serbi diskutohej dhe mundësia e dërgimit të avionit luftarak në Kosovë, në Serbi është vënë re prania e disa avionëve pa pilot të ardhur nga Rumania. Kështu shkruan e përditshmja serbe Kurir.rs, e cila shton se qëllimi i tyre ishte monitorimi i lëvizjeve të ushtrisë serbe.

Sipas burimeve të kësaj gazete, avionë pa pilot të NATO-s, në ditën kur u arrestua Gjuriç në veri të Mitrovicës dhe katër ditë më vonë, janë sinjalizuar në mënyrë të përsëritur në territorin e Serbisë qendrore.

“Fluturimi ishte i ulët dhe sipas shërbimeve sekrete serbe, qëllimi ishte monitorimi i lëvizjes së Forcave të Armatosura Serbe”, shkruhet në këtë artikull.

“Kur Forcat Speciale të ROSU-së arrestuan Gjuriç në Mitrovicë, si dhe disa ditë më vonë, u zhvillua një dramë e vërtetë në qiellin e Serbisë. Kjo pasi mendonin se ushtria serbe do reagonte për këtë arrestim”, përfundon shkrimi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!