Mediat serbe: 4 shtete duan të ndalojnë diskutimet për Kosovën në KS

schedule18:44 - 24 Tetor, 2018

schedule 18:44 - 24 Tetor, 2018

Sipas mediave serbe, janë katër shtetet e fuqishme të cilat duan të ndalojnë që të diskutohet për Kosovën në mbledhjen e 8 nëntorit të këshillit të sigurimit të OKB-së.

E përditshmja serbe “Novosti” shkruan se katër shtete të fuqishme po mundohen të ndalojnë që në rend të ditës në mbledhjen e 8 nëntorit të diksutohet mbi gjendjen në Kosovë. Tre antëraret e përhershme Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, dhe Suedia si anëtare e përkohshme, mund të sabotojnë mbledhjen e radhës në Këshillin e Sigurimit në OKB.

Raporti i Sekretarit të përgjithshëm Antonio Guterres rreth gjendjes në Kosovë ishte parashikuar të ishte temë diskutimi edhe në mbledhjen e gushtit. Por, Britania e Madhe si kryesuese, në atë kohë, e Këshillit të Sigurimit, refuzoi propozimin e tij. E njëjta gjë ndodhi dhe në muajin shtator kur kryesues ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, rotacioni i kryesuesve ka kaluar tek Kina e cila në mbledhjen e radhës ka futur në rend të ditës raportin e Guterres për Kosovën.

Edhe pse rendi i ditës nuk është konfirmuar zyrtarisht, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe Suedia po mundohen që të anashkalojnë diskutimin për Kosovën.

“Novosti” shkruan se Serbia është në kontakt të vazhdueshëm me Kinën duke kërkuar caktimin e rendit të ditës në mënyrë teknike dhe jo mbi bazën politike, pasi kjo mund të arrihet vetëm me votat e shumicës.

Kjo pasi Kina bashkë me Rusinë janë dy anëtaret e tjera të përhershme të Këshillit të sigurimit, të cilat kanë të drejtën e vetos. Nga 15 vendet anëtare të perhershme dhe të përkohshme të Këshillit të Sigurimit,  Kosovën si shtet e kanë njohur nëntë prej tyre. /abcnews.al