Rusia, Serbia dhe Bjellorusia do të kryejnë një stërvitje të përbashkët ushtarake në qytetin serb të Pancevës. Stërvitjet e pagëzuar me emrin “Vëllazëria Sllave” do të kryhen nga data 14 deri në 27 Qershor.
“Vëllazëria sllave” është emri me të cilën është pagëzuar stërvitja e përbashkët ushtarake mes Rusisë, Serbisë dhe Bjellorusisë në qytetin serb të Pancevës në datat 14 deri në 27 Qershor. Lajmi është konfirmuar për agjencinë ruse të lajmeve TASS nga ministri rus i Mbrojtjes. Ministria ruse e Mbrojtjes gjithashtu saktësoi se do të jenë forcat ajrore që do të përfaqësojnë Rusinë.
Në këtë stërvitje të përbashkët do të përfshihen 600 trupa ushtarake, nga të cilët 200 i përkasin forcave ajrore ruse, 300 forcave të armatosura të Serbisë, dhe më shumë se 60 ushtarë nga Bjellorusia; si dhe më shumë se 50 automjete të transportit ushtarak dhe avionë të tipit “Il-76MD”. Stërvitjet kryesisht do të jenë kundër terrorizmit. Ceremonia e hapjes do të kryhet në Brigadën e Forcave Speciale të Serbisë në Pancevë në 14 Qershor./ABC News Albania 24/7