Mediat kosovare publikojnë detaje të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë

schedule13:56 - 23 Shkurt, 2019

schedule 13:56 - 23 Shkurt, 2019

Mediat në Kosovë kanë publikuar detaje të asaj që duhet të jetë marrëveshja përfundimtare me Serbinë, e cila mendohet të firmoset nga palët në qershor të këtij viti dhe të hyjë në fuqi në nëntor të 2019-ës.

Janë 22 pikat që përbëjnë marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje e cila pritet të firmoset në muajin qershor dhe të hyjë në fuqi në nëntor të këtij viti. Mediat kosovare kanë publikuar disa nga pikat kyçe të draft marrëveshjes së propozuar të “traktatit të miqësisë dhe fqinjësisë së mirë” ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Sipas asaj që publikon agjencia e lajmeve “Presheva jonë” palët kanë rënë dakord me dokumentin zyrtar prej 22 pikash nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rusisë dhe Francës.

Një nga pikat është se të të dy shtetet e konsideruara si të reja pas vendosjes së kufijve të rinj mes tyre, bëhen anëtare të OKB-së në të njëjtën kohë.

Mitrovica – bashkohet, merr statusin e “FREE CITY” – qytet i lirë me afat kohor prej 35 vjetësh jo më shumë se 99 vjeçare. Kryetari i qytetit do të ketë një mandat pesë vjeçar, dhe do të jetë një rotacion mes një përfaqësuesi shqiptar, një serbi dhe një të vendosur nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Qyteti do të ketë buxhetin, policinë, letërnjoftimet dhe pasaportat e veta, kurse ushtria  NATO-s ruan sigurinë. Monedha që përdoret është Euro.

Bujanoci merr statusin special distrikt për 35 vjet jo më shumë se 99 vjet dhe do të drejtohet njësoj si Mitrovica. Buxheti financohet nga Serbia, Kosova dhe BE proporcionalisht. Monedhat e lejuara janë Euro dhe Dinari. Letërnjoftimet dhe Pasaportat janë me simbole të BE-së, por qytetarët zgjedhin edhe një tjetër mes Serbisë dhe Kosovës si dokumente të dyta. Qyteti merr edhe statusin e “FREE TAX ZONE”.

Presheva hyn tërësisht në Kosovë ndërsa Medvegja si qytet mbetet nën Serbi me ca fshatra.

Trepça merr status special, me krijimin e Konzorciumit të përbashkët nga kapitali amerikan – francez – rus – kinez, për 99 vite në shfrytëzim. Nga kontributet 15% i ndahen Mitrovicës, 35% për Serbinë dhe 50% për Buxhetin e Kosovës.

Ujmani/Gazivoda bëhet pronë e përbashkët serbo-shqiptare me administrim sipas konventave ndërkombëtare. Investimet dhe administrimi teknik i jepet një Kompanie angleze dhe gjermane për 99 vite.

Elektroenergjetika ndahet në proporcion 75% për Kosovën dhe 25% për Serbinë. Formohet Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë pa fuqi ekzekutive, por vetëm si Këshill Nacional për të adresuar problemet në qeveri.

Të gjitha pikat kufitare mes dy shteteve do të jenë të integruara me një kalim.

Serbia merr statusin shtet anëtar i BE-së brenda vitit 2021-2022, kurse Kosova brenda vitit 2030.

Serbia përfiton një Plan Marshall me investime prej 3.5 miliardë euro për infrastrukturë moderne dhe investime strategjike. Kosova përfiton nga ky Plan investiv prej 1.2 miliardë euro.

Të dyja shtetet brenda 10 viteve detyrohen të heqin nga tekstet shkollore terminologjitë raciste dhe denigruese për njëri- tjetrin.

Njihen pensionet dhe sigurimet ndërmjet dy palëve, qytetarët pavarësisht gezojnë të drejtat respektive në të dyja shtetet. Kjo marrëveshje garantohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, BE dhe NATO.

Por në negocim janë edhe tri çështje tjera:

Serbia kërkon që të njohë Kosovën në emrin Kosova e Metohija, kurse në OKB do ta njohë si Kosovë, pra kërkon regjistrimin me dy emra.

Asnjë shtet nuk ka drejtë të bashkohet me shtetin tjetër, apo territorin tjetër për 99 vjet. Palët detyrohen që të kenë votë unanime në OKB për çështjet e caktuara.

Të gjitha pikat e marrëveshjes duhet të përfundojnë deri në datën 15 Maj 2019.

Marrëveshja përfundimtare firmoset nga data 28 qershor deri 13 korrik 2019.

Deri në fund të tetorit 2019, parlamentet e të dyja shteteve e bëjnë ratifikimin dhe ndryshojnë Kushtetutat e tyre. Zbatimi i plotë i kësaj marrëveshje fillon më 01 Nëntor 2019. /abcnews.al