Mediat kosovare: Opozita me një plan të qartë për rrëzimin e qeverisë Haradinaj

schedule09:54 - 31 Tetor, 2017

schedule 09:54 - 31 Tetor, 2017

Deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës synojnë që të rrëzojnë qeverinë “Haradinaj” nëpërmjet mocionit të mosbesimit, njësoj siç u rrëzua muaj më parë ekzekutivi që udhëhiqej nga kryetari i partisë së tyre, Isa Mustafa. Kështu shkruajnë mediat kosovare duke shtuar se nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ditë më parë ka deklaruar për mediat se mocioni i votëbesimit ndaj Qeverisë do të ndodhë shumë shpejt, madje ai ka bërë të ditur se një iniciativë e tillë është çështje ditësh. Ndërsa deputetja e këtij subjekti politik Besa Gaxherri, u shpreh për gazetën “Zëri” se kjo Qeveri nuk do të ketë jetë të gjatë, duke marrë parasysh numrin prej 61 votave në Kuvend. Megjithatë, ajo tha se para se të vijë në rend dite mocioni, po bëhen disa analiza që të vendoset momenti më i përshtatshëm për rrëzimin e Qeverisë.