Mediat izraelite: Hakerat publikuan sasi të madhe të dhënash të klasifikuara

schedule12:19 - 21 Gusht, 2024

schedule 12:19 - 21 Gusht, 2024

Hakerat anti-izraelitë kanë publikuar një sasi të madhe të të dhënave të klasifikuara mes përpjekjeve të Izraelit për të kontrolluar rrjedhjen e informatave.

Rrjedhja e informatave, sipas të përditshmes izraelite “Haaretz”, përfshin dhjetëra mijëra dokumente të ndjeshme dhe e-maile të vjedhura nga institucionet izraelite, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë.

Sulmet, të cilat filluan më 7 tetor 2023, kanë shënjestruar një gamë të gjerë subjektesh, nga kontraktorët ushtarakë dhe të mbrojtjes, deri te spitalet dhe ministritë qeveritare, pasi hakerat kanë arritur të mposhtin infrastrukturën e sigurisë kibernetike të Izraelit.

“Shkalla e vërtetë e dëmit ndaj sigurisë dhe ekonomisë së Izraelit të shkaktuar nga këto rrjedhje nuk dihet ende plotësisht”, zbuloi një burim pranë hetimit, duke shtuar: “Përkundër investimeve masive në masat mbrojtëse të sigurisë kibernetike, shkalla e rrjedhjeve mund të jetë më e rënda në historinë e Izraelit. Një grabitje e paprecedentë, prej shumë gigabajtësh, e të dhënave të të gjitha llojeve”.

Të dhënat e rrjedha janë shfaqur në platforma si Telegram, duke shkaktuar një sërë përpjekjesh për heqje nga autoritetet izraelite. Megjithatë, politikat e kufizuara të editimit të Telegramit i kanë komplikuar këto përpjekje.

“Telegrami në fillim të luftës u shfaq si një platformë kyçe e përdorur në luftën informative të Hamasit kundër Izraelit, të cilën Izraeli nuk ishte në gjendje ta adresonte siç duhet. I mungonin aftësitë monitoruese dhe të kuptuarit e platformës”, raportoi “Haaretz”.

Izraeli ka synuar të zbusë dëmin përmes masave ligjore dhe negociatave të drejtpërdrejta me gjigantët e teknologjisë si Google, Amazon dhe Meta. Megjithatë, hakerët janë përshtatur duke përdorur shërbime të decentralizuara dhe metoda tjera të cilat fshehin burimin e të dhënave dhe pengojnë përpjekjet për fshirjen e tyre.

Izraeli, duke shpërfillur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm, ka vazhduar ofensivën e tij brutale të vazhdueshme në Rripin e Gazës që nga sulmi i 7 tetorit të vitit të kaluar nga grupi i rezistencës palestineze, Hamas.

Sulmet izraelite që atëherë kanë vrarë më shumë se 40.170 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe kanë plagosur mbi 92.800, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

Më shumë se 10 muaj pas fillimit të sulmeve izraelite, pjesë të mëdha të Rripit të Gazës qëndrojnë në gërmadha, krahas një bllokade shkatërruese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila e ka urdhëruar atë të ndalojë menjëherë operacionin e tij ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!