Vijon raundi i tretë dhe i fundit i bisedimeve në Presidencë për krijimin e qeverisë së re italiane. Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Pesë Yjet, Di Maio, deklaroi se është i gatshëm për të zgjedhur një emër të tretë me Salvinin, për të qenë kryeministri i vendit, por nuk do të mbështesë një qeveri teknike. Ai theksoi dhe njëherë se nuk do të ketë një marrëveshje me Legën nëse Forza Italia e Berluskonit nuk tërhiqet nga aleanca.
Nga ana e tij, lideri i Legës, Salvini u shpreh besimplotë se presidenti Matarella do i dorëzojë qendrës së djathtë mandatin për krijimin e qeverisë. Partia Demokratike deklaroi se do të mbështesë çdo vendim që do marrë kreu i shtetit, duke i bërë apel palëve që t’i japin fund lojërave të fjalëve.
Aktualisht grupi përfaqësues i Legës po vijon bisedimet në Dhomën e Deputetëve me Luigi di Maio të Lëvizjes Pesë Yjet. Mediat italiane shkruajnë se në qendër të bisedimeve është caktimi i datës për zgjedhjet e ardhshme. Sipas të dhënave të para duket se Salvini dhe Di Maio kanë rënë dakord se nëse nuk do të ketë një qeveri politike, data më e pershtatshme për zgjedhje të reja është ajo e 8 Korrikut. /abcnews.al