Mediat greke i kanë dhënë një hapësirë të gjerë protestës së të enjtes ku deputetët e opozitës dorëzuan dhe mandatet e tyre. Shtypi i shkruar dhe ai televiziv kanë komentuar situatën në vendin tonë.
Mediat greke po përcjellin gjerësisht zhvillimet e fundit në Shqipëri.
Protesta e së enjtes, e opozitës ishte ndër lajmet qendrore të televizioneve kryesore të vendit. Titulli më interesant ishte ai i televizionit Antena: “Shqipëria kazan që zien. Protestë e re kundër Ramës”.
Por edhe një ditë më pas, protesta pasqyrohet gjerësisht në gazetat greke.
E përditshmja me orientim të djathtë dhe vokacion patriotik, “Demokratia”, ka në ballinë titullin bombastik “Shqipëria rrezikon me luftë civile”.
Nën titullin “Me shpatulla për muri ‘Maduro’ i Shqipërisë”, gazeta greke nënvizon:
“Shqipëria ndodhet mbi një litar të tendosur, në kohën që askush nuk mund të përjashtojë eksese, sa nga ana e qeverisë Rama, aq edhe nga ana e opozitës.
Eksese, që sipas disa analistëve, mund të shpien përfundimisht vendin në luftë civile, pasi populli paraqitet i përçarë thellë…
Dimokratia e argumenton parashikimin e vet me videon që shpërndau kryeministri Edi Rama, dhe ku sipas gazetës, ish kryeministri Sali Berisha u bënte thirrje të hapur qytetarëve të merrnin armët…
E njëjta gazetë publikon të premten dhe një editorial, ku kritikon qeverinë greke dhe partitë politike në vend, që nuk kanë reaguar ndaj situatës në vendin fqinj, për të kërkuar mbrojtjen e minoritetit grek që jeton atje.
Më neutrale, e përditshmja “Kathimerini” i kushton titullin kryesor bë ballinë: Protestë antiqeveritare në Tiranë”.
Sipas kësaj gazete, “Deputetë të opozitës shqiptare përsëritën se do të dorëzojnë mandatet parlamentare, me gjithë presionet e SHBA dhe të BE që të shmangen vonesat në realizimin e reformave.
E përditshmja tjetër e madhe, Ta Nea, përfshin në fokusin e vet, tre vende, Shqipërinë, Serbinë dhe Malin e Zi.
“Ballkani është ngritur në këmbë. Protesta të mëdha antiqeveritare po zhvillohen kohët e fundit në Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi. Qytetarët protestojnë kundër qeverive të tyre, që i shohin si pengesë për një jetë më të mirë. Disa e quajnë këtë klimë si “Pranvera Ballkanike”. Të tjerë, e kundërshtojnë”, përfundon Ta Nea.