Në 15 janar parlamenti i Britanisë së Madhe do të votojë për marrëveshjen e arritur mes Kryeministres Britanike Mej dhe Brukselit për daljen e vendit nga Bashkimi Europian. Parlamenti britanik do të votojë planin e kryeministres Tereza Mej për Breksit në 15 janar. Lajmi është publikuar nga BBC që citon burime qeveritare.
Ndërkohë, po sipas BBC, më shumë se 200 deputetë britanikë kanë firmosur një letër drejtuar Kryeministres duke i kërkuar që të pezullojë një dalje të vendit nga Bashkimi Europian pa një marrëveshje me Brukselin.
Iniciativa është marrë nga deputetja konservatore Karolin Spelmen dhe deputeti I Laburistëve Xhek Dromei, sipas të cilëve një Brexit pa një marrëveshje do të shkaktohë humbjen e shumë vendeve të punës. Deputetët që kanë firmosur letrën, i përkasin të dy kampeve, pro dhe kundër daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE.
Ata do të takohen të mërkurën me kryeministren Mej. Në një artikull të publikuar një ditë më parë në Telegraf, ish-ministri i jashtëm Boris Xhonson pranoi se mundësia e një Brexit pa marrëveshje është më pranë asaj për të cilën britanikët kanë votuar në referendumin e 2016-ës./abcnews.al/