Media serbe: Greqia pritet ta njohë Kosovën

schedule10:32 - 21 Shtator, 2022

schedule 10:32 - 21 Shtator, 2022

Është një mundësi krejtësisht reale që pesë vendet e Bashkimit Evropian, të cilat deri më tani nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, Greqia, Spanja, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania, të ndryshojnë qëndrimin e tyre, edhe para afatit të përcaktuar nga plani 13-pikësh i kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron, dhe më afër njohjes është aktualisht Greqia, pohojnë burime diplomatike të gazetës serbe “Danas”.

Gjegjësisht, plani i fundit 13-pikësh i Gjermanisë dhe Francës, për të cilin shkruajnë mediat, për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve në bazë të njohjes reciproke parasheh që të gjitha pesë vendet e mbetura të BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që marrëveshja që do të arrihet ta ketë legjitimitetin e plotë në nivel të BE-së.

Nga pesë vendet e mbetura – Greqia, Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja, Greqia është aktualisht më afër njohjes së pavarësisë së Kosovës, sipas burimeve të “Danas”-it nga qarqet diplomatike.

“Greqia është më e afërta me këtë sepse aktualisht po e trajton Kosovën në çdo gjë si shtet të pavarur dhe është vetëm çështje kohe se kur do ta bëjë këtë zyrtarisht. Deri më tani, Greqia nuk e ka njohur Kosovën për shkak të interesave të atij vendi dhe dinamikës rajonale të marrëdhënieve, por problemi kryesor ballkanik që kishte Greqia – mosmarrëveshja me Maqedoninë e Veriut – është zgjidhur. Ata nuk kanë asnjë pengesë tjetër për çështjen e pavarësisë përveç Qipros”, thonë burimet e gazetës serbe

Megjithatë, ata shtojnë se meqë Qiproja është anëtare e BE-së, kjo çështje është mjaft e ndryshme nga ajo e Kosovës dhe se autoritetet në Greqi mund ta theksojnë këtë dallim nëse dëshirojnë të marrin mbështetje për njohjen e Kosovës.

“Nëse Greqia e bën këtë, Qiproja me siguri do të inatoset, por sigurisht që nuk do të mbetet i vetmi vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nëse BE-ja kërkon unitet nga anëtarët e saj dhe nëse Greqia e ngre këtë çështje. Në atë rast, është vetëm çështje kohe dhe marrëveshjeje se kur do të bëjë të njëjtën gjë edhe Spanja. Për Rumaninë dhe Sllovakinë çështja është edhe më e thjeshtë”, thonë më tej burimet e gazetës serbe “Danas”.

Deri më tani për Serbinë ka qenë domethënëse që negociatori kryesor i BE-së, i dërguari special për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, vjen nga Sllovakia, e cila ndan qëndrimin e Serbisë për çështjen e Kosovës, si fakti që eurodeputeti nga ky shtet është përgjegjës për funksionin e raportuesit të PE-së për Serbinë – Vladimir Bilçik.

“Edhe pse në radhë të parë janë zyrtarë të BE-së dhe zbatojnë politikën e Unionit, deri më tani ka pasur shumë mirëkuptim nga ana e tyre për Serbinë dhe zyrtarët evropianë asnjëherë nuk distancohen plotësisht nga qëndrimet e marra nga autoritetet në vendet nga vijnë. Megjithatë, nëse BE-ja vendos se është koha dhe se duhet të arrihet një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe kjo ndikohet kryesisht nga marrëdhëniet aktuale gjeopolitike, do të duhet të jetë prioritet për të gjithë zyrtarët e saj”, thanë burimet e “Danas”-it. /Express