Media kanadeze: Shqipëria, narkoshteti i parë europian

schedule14:23 - 7 Qershor, 2019

schedule 14:23 - 7 Qershor, 2019

Media kanadeze Vice ka publikoi një artikull të gjatë kushtuar Shqipërisë dhe mënyrës se si vendi ynë është kthyer në narkoshtetin e parë në Europë. Sipas Vice News, infiltrimi i pushtetit dhe parasë së drogës në institucionet shtetërore dhe lidhja e ngushtë e baronëve të drogës me ata në pushtet e bëjnë rastin e Shqipërisë unik në gjithë Europën.

Pas tabloidit gjerman Bild, fjalën e mori media dixhitale kanadeze, Vice për të argumentuar se si Shqipëria është kthyer në të parin shtet Europian pushteti i të cilit kontrollohet nga paratë e drogës. Viktimë të parë të kësaj situate Vice identifikon brezin e ri të mbërthyer mes politikave të krimit të organizuar, papunësisë së shfrenuar dhe parave të shpejta të drogave të klasit të parë.

“Është Janar në një nga periferitë e rrënuara të Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë – shkruan Vice – dhe ne kemi takuar dy shpërndarës lokalë kokaine, të sapo kthyer nga udhëtimi në Gjermani. Si shumë grupe të tjerë të rinjsh edhe Artani dhe Luli kanë kaluar nga trafikimi i kanabisit tek kokaina, sepse ka më shumë para dhe është më e thjeshtë për t’u gjetur. Ata i thonë gazetarit të Vice se mund të fitojnë rreth 23,000 dollarë duke infiltruar një kile kokainë në shtetet më të pasura Europiane, ku tregu për këtë lloj droge vjen në zgjerim”.

Shqipëria përputhet me përkufizimin që Fondi Monetar Ndërkombëtar i bën narkoshtetit, si vend ku institucionet legjitime penetrohen nga paraja dhe pushteti i trafikimit të drogave ilegale, shkruan artikulli. Por Shqipëria është unike në Europë, vijon Vice, pasi baronët e drogës nuk janë renegatë të jashtëligjshëm, por janë të lidhur ngushtësisht me ata që drejtojnë vendin dhe ata që janë të ngarkuar nga ligji për t’i kapur ata.

Paratë e drogës janë pjesë esenciale e sistemit demokratik shqiptar, kjo pasi mënyra më e mirë për të siguruar votat e qytetarëve është t’i paguash me para në dorë dhe gjeneruesi më i mirë i tyre është pikërisht trafikimi i narkotikëve. E pasi citon studimin e financuar nga BE që njoftonte se mbi 20% e shqiptarëve pranuan se u ishte ofruar diçka në këmbim të votës, Vice citon përgjimet e publikuara nga Zëri i Amerikës si tregues të përfshirjes së suksesshme të bandave të kokainës në manipulimin e votave.

Për shkak të ndërlidhjes së fortë mes narkotrafikut dhe atyre që janë në pushtet Vice njofton se inteligjenca britanike, amerikane, holandeze dhe italiane kanë zbarkuar në Tiranë, të vendosur për të monitoruar në terren pas zbulimit se informacionet që ata ndanin me autoritetet shqiptare, përfundonin në duar të gabuara.

Vice e portretizon Tiranën si qytetin që në pamje të parë është në zhvillim, me një gjallëri kafenesh dhe jetë nate. Shumë para janë përdorur për zbukurim të rrethinave të dy hoteleve ndërkombëtare ku diplomatët, biznesmenët e huaj dhe politikanët hanë “club sandwich”, kërkojnë në Tinder dhe flasin për blerjet e fundit  përkundër shumicës dërrmuese të popullsisë shqiptare ku të varfrit gjenden në rrethinat e pista dhe ku shtëpitë nuk kanë elektricitet apo ujë.

Ndërkohë shqiptarët po presin të shohin nëse Bashkimi Europian do të fillojë negociatat për anëtarësim në Qershor edhe pse së shpejti mund t’i bllokohet lëvizja e lirë në vendet e Europës, kjo pasi Franca dhe Holanda i shohin bandat e drogës shqiptare si një kërcënim real./ABC News Albania 24/7