Shqipëria ka marrë sërish vëmendjen e mediave gjermane. Këtë herë “Reise Reporter” e përshkruan vendin tonë si destinacionin e duhur për të kaluar pushimet, mes bukurisë së alpeve, pyjeve, liqeneve, kanioneve e plazheve. Media gjermane rendit 7 destinacione, që në Shqipëri duhen vizituar.
“Përveç plazheve të mrekullueshme dhe qyteteve të bukura, ju mund të zbuloni parqet kombëtare unike dhe bukuri natyrore në të gjithë vendin ballkanik. Janë të panumërta destinacionet për ecje, ne kemi zgjedhur shtatë mrekullitë natyrore më të bukura dhe spektakolare që Shqipëria ka për të ofruar. Janë të shpërndara nga veriu në jug, pothuajse në të gjitha pjesët e vendit”, shkruan gazeta gjermane.
Në krye të listës, renditen Alpet Shqiptare. “Janë mrekullia e natyrës shqiptare. Malet shtrihen përgjatë kufirit midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. Alpet shqiptare janë një parajsë për adhuruesit e ecjes, veçanërisht në muajt e verës”, shkruan Reise Reporter.
Gazeta gjermane rendit në vend të dytë, parkun kombëtar të llogarasë, që siç shkruhet në artikull ky park të ofron një bukuri të rrallë natyrore, me bimësi dhe botë të egër të larmishme.
“Reise Reporter” veçon mes të tjerash liqenin e Komanit në veri të Shqipërisë. “Është një nga mrekullitë natyrore të Shqipërisë, edhe pse është krijuar artificialisht, sepse natyra rreth tij është si një ëndërr”, shkruhet në artikullin e medias gjermane, që vijon më tej me Syrin e Kaltër, një tjetër destinacion që nuk duhet humbur.
“Liqeni i Ohrit, i cili shtrihet në kufirin midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, gjithashtu vlen të vizitohet, shkruan gazeta, që më pas rendit në listë edhe luginën e Vjosës në jug të vendit.
Reise Reporter e mbyll me kanionet e Osmumit, si mrekullinë e shtatë natyrore të Shqipërisë.
Vitin e kaluar Shqipëria rezultoi një destinacion i preferuar i gjermanëve. Mbi 300 mijë gjermanë vizituan vendin tonë.
/abcnews.al