Medalje mirënjohjeje për 25 mësues të Tiranës, Veliaj tregon histori personale: Disa kanë harruar prindërimin

schedule16:04 - 7 Mars, 2020

schedule 16:04 - 7 Mars, 2020

Kryebashkiaku Erion Veliaj me rastin e festës së 7 marsit, festës së mësuesit, organizoi një ceremoni mirënjohjeje për 25 mësues të shkollave të ndryshme për të cilat shpërndau medaljen e 100 vjetorit të Tiranës.

Në këtë ceremoni Veliaj mbajti  një fjalë përshëndetëse për të gjithë mësuesit por nuk la pa kritikuar ata që kanë qenë kryebashkiak më parë në këtë detyrë.

Më tej Veliaj theksoi se disa prej shkollave në kryeqytet kanë nevojë të rindërtohen nga e para pasi tërmeti i 26 nëntorit i ka dëmtuar, një prej tyre është edhe shkolla “Sami Frashëri” për të cilën kryebashkiaku tha se duhet të rindërtohet nga e para.

“Kemi nevojë për infrastrukturë arsimore. Shkolla “Sami Frashëri” do të rindërtohet nga e para.

Shikoja sot politikanë që thonin “gëzuar zysha, gëzuar mësuesja ime e parë” ndërkohë që kanë qenë në krye të detyrave të rëndësishme dhe ja kanë futur aq kot me ca gjëra. Si kanë lejuar zaptimin e shkollave kur kanë qenë në krye të punëve?

Këta që kanë qenë kryetarë bashkie, a kanë qenë ndonjëherë nxënës. Këta që kanë qenë në krye të vendit, a kanë qenë ndonjëherë nxënës?

Por shkolla nuk është vetëm llac e tulla. Kemi nevojë të kalojmë nga një projekt pilot në një universal. Mësuesit mund të na ndryshojnë jetën. Disa prej nesh kanë harruar një detyrë të rëndësishme, atë të prindërimit“, tha Veliaj.

Duke theksuar se rol të rëndësishëm ka edhe prindërimi, Veliaj solli një shembull personal, ku sipas tij një nënë kishte problem me djalin e saj, pasi i biri nuk e dëgjonte dhe kërkonte vetëm Lali Erin që të ulej e të mësonte. Sipas Veliajt kjo ishte e tepërt pasi shteti nuk mund të jetë dado.

“Nuk mund të kërkojmë një shtet dado, nuk mund të kërkojmë nga mësuesit të jenë dado, kryetari i Bashkisë nuk mund të jetë dado, as kryeministri. Ne menduam që të fusim një libër, i cili do të quhet si të prindërosh? Dua që t’ju kujtoj diçka, pas çdo njeriu të madh ka një mësues”, tha Veliaj.

Në përfundim të fjalës së tij kryebashkiaku Veliaj shpërndau medaljen e mirënjohjeve për 25 mësues të shkollave të Tiranës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!