Kapiten Artur Meçollari thotë se Rusia ende nuk ka paraqitur prova se sulmi me dronë mbi Kremlin, është diktuar nga forcat ukrainase.
Në emisionin “Lufta dhe Paqja” në ABC News, Meçollari u shpreh se pa paraqitur këtë provë, bie poshtë retorika ruse, e cila bën përgjegjës ukrainasit.
Ndër të tjera, Meçollari tregoi edhe variantet e tjera në lidhje me këtë sulm.
“Kjo është pikëpyetja, droni nuk mund të godasë me saktësi në distancën e Moskës, mund të arrijë Moskën, por nuk godet dot me saktësi. Që të shkojë në shtizën e flamurit në Kremlin, është e pamundur nga pikëpamja teknike. Por deklarata e Zelenskit ka bërë nul të gjithë retorikën ruse. Sot, Rusia është e vetmja që ka provën. Droni nuk është shpërthyer plotësisht, droni ka elementë të mbetjeve të tij. Sot, Rusia ka provën e dronit, por këtë nuk e paraqet. Ukraina ka vetëm një lloj droni, që është dron UJ22.
Pra, për aq kohë sa Rusia nuk paraqet provën që ky ishte dron ukrainas dhe i drejtuar nga forcat ukrainase, atëherë retorika ruse bie poshtë dhe këtu mbeten dy opsionet e tjera, që janë, improvizimi i një situate të tillë nga vetë rusët ose një sulm i brendshëm nga forcat rebele apo forcat kundërshtare në Rusi. Por në momentin që jemi, Rusia duhet të provojë që ishte dron i diktuar nga forcat ukrainase. Në të kundërt, bie e gjithë retorika ruse”, theksoi ai./abcnews.al