Me vrap nga Anglia në Tropojë/ Seb Ponari prek tokën shqiptare, pas 36 ditësh

schedule14:43 - 15 Qershor, 2025

schedule 14:43 - 15 Qershor, 2025

Ky është momenti kur Seb Ponari prek tokën shqiptare në pikën e kalimit kufitar në Han të Hotit, pas 36 ditësh vrap nga Anglia.

U nis nga Cambrige,duke përshkuar 2750 km me një qëllim, për të mbërritur në vendlindjen e tij në Tropojë. Sfidën e menduar, emigranti shqiptar në Angli e ka realizuar me sukses.

Në një ceremoni mikpritjeje të organizuar në pikën doganore të Hanit të Hotit, Seb shpërtheu në lot kur shkeli në tokën Shqiptare. Rrugën ku kaloi duke vrapuar në disa shtete e përshkruan si jo të lehtë.

“Aventurë sfiduese, por mbi të gjitha shërbyese. E kam ditur që do jetë vështirë ditën që u nisa, e kam ditur që do ketë rreziqe, por jo kaq rreziqe. Maksimumi kam menduar ndonjë gjarpër rrugës, por jo të përfundoj në një moment që u futa në errësirë në Kroaci, ishte një shkëmb dhe aty e pashë veten në rrezik. Kroaci ka qenë shteti më sfidues.”

Vrapimin e nisi rastësisht ndërsa tashmë është kthyer në një pasion, i cili u finalizua në këtë udhëtim të çmendur ku përshkoi 9 shtete për të mbërritur në vendlindjen e tij.

“Karriera e vrapit ka filluar vite më parë. gjithmonë e kam pasur merak barkun rrafsh. Më pëlqen vrapi se të bën të rrish me veten shumë, të reflektosh. I bëra një pyetje vetes a mund të shkosh në Tropojë me vrap.”

Kjo sfidë për të, është një betejë e fituar edhe me vetveten, për shëndetin fizik por dhe me atë mendor , me të cilin Ponari thotë se është përballur.

“Vrapi ka qenë faktor për të përmirësuar kualitetin e jetës time. Është e pabesueshme të vraposh 2400 dhe të ndihesh bosh.”

Vrapimi nga Anglia në Tropojë ka një dedikim të veçantë dhe domethënës për emigrantin shqiptar.

“Babi bën vjetorin e 10 që ka ndërruar jetë dhe thashë do ia dedikoj babit, thash do shkoj nga shtëpia ime te shtëpia e babit. Çdo gjë që i vëmë qëllim jetës nëse arsyeja nuk është e fortë ëndrra bëhet thjesht ëndërr.”

Por, sfidën Seb Ponari nuk e mbyll me kaq do ta vijojë deri në jug të Shqipërisë.

“Janë edhe 500 km për t’i bërë deri në Ksamil, do bëj disa ditë plazh. Dua ta kaloj 3 mijë.”/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!