“Me Uzunin bëjmë krenar vendin tonë”, Sadiku ka një sms për Rejën: Mezi pres ftesën e kombëtares!

schedule19:35 - 3 Tetor, 2022

schedule 19:35 - 3 Tetor, 2022

Armando Sadiku po shkëlqen te skuadra e Cartagenës në Segunda Division të Spanjës, teksa deri më tani sulmuesi kuqezi ka arritur të shënojë 4 gola, duke qenë vendimtar për skuadrën e tij.

Për “Supersport”, Sadiku ka deklaruar se momentalisht po kalon një periudhë shumë të mirë në Spanjës duke shënuar vazhdimisht me skuadrën e tij, ndërsa nuk nguroi të theksonte se mesi pret një ftesë nga kombëtarja, pasi ka akoma për të dhënë për fanellën kuqezi.

Si po komentohet rivaliteti mes jush dhe Uzunit në Ligën e Dytë Spanjolle? Është e vërtetë. Në javët e para, kur Uzuni filloi të shënojë gola, lojtarët e skuadrës time nuk e njihnin dhe më pyesnin se kush është ky, që po luan kaq mirë dhe po bën kaq mirë. Tani Myrto po tregon veten, pasi luan në një ekip me buxhet shumë të madh, me lojtarë me kualitet dhe po tregon veten, duke shënuar 6 gola deri tani. Unë jam krenar për duelin me të, pasi jemi dy shqiptarë dhe po ngremë edhe emrin e vendit tonë.

A e pret një ftesë për miqësoren me Italinë? E pres me shumë emocion dhe si të ishte ftesa e parë që më ka ardhur dikur në kombëtare. Unë dua të kthehem të luaj me kombëtaren, sidomos tani që jam duke luajtur dhe shënuar, pasi po kaloj një formë shumë të mirë. Duke njohur veten time, e di që mund të jap ende shumë për të dhënë në Kombëtare, por edhe në karrierën time. /f.a/abcnews.al