Një kokërr sa një grimcë gruri. Aq e vogël nisi gjithçka për Blerina Qerimin. Një vetëkontroll rutinë pas dushit, një zakon që e bënte çdo herë pa frikë, pa dyshime. Por këtë herë diçka nuk i pëlqeu. Një masë e vogël në gji i ndezi alarmin që do t’i ndryshonte jetën përgjithmonë.
Fillimisht, mjekët e qetësuan. “Nuk është asgjë serioze”, i thanë. Por zemra e Blerinës e dinte se diçka nuk shkonte. Masa rritej, dhimbja bëhej e padurueshme dhe frika po i merrte frymën. Në Zvicër, ku kishte shkuar për punë, realiteti nisi të bëhej më i errët çdo ditë.
Ndërsa luftonte me ankthin për shëndetin e saj, një tjetër goditje do ta rrënonte shpirtërisht: nëna e saj ishte diagnostikuar me kancer gjiri. E njëjta zonë. E njëjta frikë. I njëjti makth që po trokte dy herë në të njëjtën familje.
“Mu shemb bota,” rrëfen Blerina. Familja kishte humbur njerëz nga kjo sëmundje dhe fjala “kancer” për të tingëllonte si dënim me vdekje. Por tronditja më e madhe do të vinte pak më vonë, kur një mjek, pas një kontrolli, i dha lajmin brutal: edhe ajo kishte kancer agresiv dhe të avancuar.
“Me një fjali më tha se nuk kishte mbetur më asgjë nga unë,” kujton ajo sot.
Në një ditë, nëna në sallën e operacionit, vajza me lajmin se jeta e saj mund të kishte afat. Një dramë që do të kishte thyer këdo. Por Blerina mori vendimin më të dhimbshëm: të mos ia tregonte nënës së saj të vërtetën.
U largua në Francë me justifikimin e një pune të re, ndërsa në të vërtetë po niste betejën më të vështirë të jetës – vetëm, në një vend të huaj, pa gjuhë, pa njerëz pranë, vetëm me frikën dhe kimioterapitë.
Kur flokët nisën t’i binin, dhimbja u bë edhe më e rëndë. Nëna nuk duhej ta merrte vesh. Dhe atëherë ndodhi diçka që Blerina nuk do ta harrojë kurrë: një grua e panjohur nga TikTok-u i dërgoi një paruke identike me flokët e saj, vetëm që nëna të mos kuptonte asgjë gjatë telefonatave me kamera.
Mes lotëve, kimiove dhe vetmisë, Blerina mbijetoi me një tas makarona në ditë. Tre muaj me të njëjtin ushqim, pa forcë, pa luks, por me një qëllim: të jetonte dhe të mos rëndonte shpirtin e nënës.
Dhe kur gjithçka dukej e humbur, ndodhi mrekullia.
Pas dhjetëra cikleve të kimioterapisë, skanerët treguan lajmin që dukej i pamundur: kanceri ishte zhdukur. Edhe nëna e saj e kishte fituar betejën.
Sot, nënë e bijë jetojnë, buzëqeshin dhe ndihmojnë të tjerët që përballen me të njëjtin ferr. Nga një histori që nisi me fjalët “do vdesësh”, Blerina Qerimi është kthyer në simbol force, shprese dhe besimi.


