“Me Sylvinho-n, kombëtarja pati frymë të re”/ Cungu: Kontrata? I takon trajnerit të zgjedhë

schedule20:20 - 28 Qershor, 2024

schedule 20:20 - 28 Qershor, 2024

Trajneri Armando Cungu thotë se me ardhjen e Sylvinho, në kombëtaren shqiptare pati një frymë të re dhe u arritën rezultate të mira.

Në emisionin “Sport Center”në ABC News, Cungu u shpreh se lidhur me vazhdimësinë e kontratës, i takon Sylvinho-s që të vendosë.

“Me ardhjen e Sylvinho-s, ekipi ka pasur frymë tjetër. Falë frymës së re, arritëm rezultate të mira. Pjesëmarrja në Evropian, kishim përballë Spanjën, Kroacinë, Italinë, nuk ishte e lehtë. Në mënyrën se si u zhvillua skuadra, u bë paraqitje e mirë. Sylvinho i ka dhënë impuls tjetër ekipit kombëtar. Nëse ai është në përfundim të kontratës, eshte e drejta e trajnerit të bëjë zgjedhjen e tij. Përveç profesionalizmit, ka edhe një ndjesi. Mendoj që ka përfituar shumë Sylvinho nga kombëtarja shqiptare, ka ata djem, nuk ka shumë eksperiencë si trajner. Është në dorën e Sylvinhos që të vendosë. Në momentet që je në disfavor të rezultatit, përfshirja e Hoxhës duhet të jetë e padiskutueshme. Në ndeshjen me Spanjën, Hoxha bashkë me Brojën duhet të ishin futur që në pjesën e dytë”, theksoi ai./abcnews.al