Turizmi vijon të shënojë shifra pozitive. Sipas raportit të fundit të Institutit të Statistikave, në tre muajt e parë të ketij viti, Shqipërinë e kanë vizituar rreth 1 milion turistë të huaj. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shënohet një rritje prej 39 përqind e të huajve që kanë hyrë në territorin shqiptar.
Hyrjet më të larta të shtetasve të huaj janë nga Evropa, ku për tre muaj kanë ardhur mbi 369 mijë vizitorë, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore, përkatësisht me 8 952 dhe 2 183 shtetas.
Nga ana tjetër, edhe daljet e shtetasve shqiptarë përgjatë muajit mars të këtij viti, por edhe përgjatë tremujorit të parë të vitit regjistrojnë rritje.
Sipas shifrave te publikuara nga INSTAT, numri i daljeve në mars ka prekur rekord që nga viti 2016, duke shenuar rritje me 19.2%, krahasuar me të njejtin muaj të vitit 2022.
Viti i shkuar ishte viti më i mirë historik për turizmin si për numrin total të turistëve që kapi shifrën e 7.5 milionë personave, por edhe për të ardhurat.
Shpenzimet e të huajve për udhëtime në vitin 2022 po ashtu arritën një rekord prej 2.84 miliardë eurosh. Edhe ne raportin e fundit te Bankes Boterore, theksohet se turizmi do jete nje nga shtyllat kryesore qe do ndikoje ne rritjen ekonomike te vendit.