Me shumë të ardhura në buxhet/ Brenda një muaji arkëtohen mbi 62 miliardë lekë

schedule14:08 - 18 Korrik, 2023

schedule 14:08 - 18 Korrik, 2023

Fitimet e bizneseve dhe përmirësimi i konsumit nxitur nga turizmi veçanërisht gjatë qershorit, kanë bërë që në arkën e shtetit të hyjnë më shumë para.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, deri në qershor llogariten 319.9 miliardë lekë të ardhura buxhetore, plot 13.8 miliardë lekë apo 136 milionë euro më shumë se plani i hartuar në fillim të vitit. Ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat janë rritur me 40.5 miliardë lekë.

Vetëm muajin e kaluar në buxhet u arkëtuan 62 miliardë lekë, një nivel rekord mujor, gati 35% më shumë se krahasuar me qershorin e vitit të shkuar. Sipas zërave, ndikim të madh në këtë ecuri pozitive të të ardhurave e kanë dhënë rritja e arkëtimeve nga tatim fitimi me 8.9 miliardë lekë më shumë, ndjekur nga të ardhurat e mbledhura nga taksat mbi pagën me 6.2 miliardë lekë shtesë në 6 muaj, si dhe nga rritja me 3.7 miliardë lekë e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Ndërsa, të ardhurat doganore kanë pësuar ulje të lehtë në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, si rrjedhojë e stabilizimit dhe uljes së çmimit të mallrave të mallrave të importuara në tregjet ndërkombëtare. Totali i të ardhurave doganore arriti në 102.9 miliardë lekë në fund të qershorit, 2.7 miliardë lekë më pak se plani i Financave.

Ndërkaq shpenzimet publike nga ana tjetër për 6-mujorin arritën në 273.8 miliardë lekë, 3.6% më të larta se një vit më parë, megjithatë në terma vjetore u realizuan në masën 39.2%.

Rritja e fortë e të ardhurave dhe niveli më i ulët i shpenzimeve ka bërë që në harkun kohor të 6-mujave niveli i suficcitit të rezultojë në 36,2 miliardë lekë, rreth 17 miliardë lekë më shumë se kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të shkuar.