Më shumë se 1000 studentë të Harvardit protestuan në ceremoninë e diplomimit

schedule15:33 - 24 Maj, 2024

schedule 15:33 - 24 Maj, 2024

Më shumë se 1000 studentë protestuan në ceremoninë e diplomimit të Universitetit të Harvardit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për shkak të vendimit të administratës së universitetit për të mos dhënë diploma për studentët që morën pjesë në protestat në mbështetje të Palestinës.

Ata u larguan nga ceremonia e diplomimit duke brohoritur “Palestina e lirë”; pasi administrata e Harvardit njoftoi se nuk do të jepte diploma për studentët që kishin marrë pjesë më parë në protestat pro Palestinës.

Një nga organizatorët e protestës studentore, Shruthi Kumar, tha për AP se 13 studentë duhet të jenë në mesin e maturantëve të vitit 2024.

Duke shpjeguar se më shumë se 1,500 studentë dhe rreth 500 profesorë dhe staf universiteti kanë mbledhur nënshkrime që 13 studentët e përmendur të marrin diplomat e tyre, Kumar theksoi se ata janë thellësisht të zhgënjyer me qëndrimin e administratës së universitetit ndaj lirisë së shprehjes dhe të drejtës për mosbindje civile.

Bordi i Administrimit të Harvardit thotë se 13 studentë shkelën politikën e universitetit me sjelljen e tyre gjatë një proteste në solidaritet me Palestinën, dhe për këtë arsye njoftuan se nuk do t’u jepen diploma./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!